Këtë të enjte, Gjykata e Posaçme e Apelit, ka rrëzuar ankimimin e Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, i cili kundërshtonte kontrollet e SPAK që u kryen në dhjetor të 2024 në shtëpitë e tij dhe në ambientet e bizneseve.
Trupi gjykues monokratik, i kryesuar nga gjyqtari Engert Pëllumbi, vendosi të mos pranojë ankimimin e paraqitur nga Arbër Veliaj dhe shoqëria “G.” sh.p.k., kundër vendimit nr. 730, datë 20.12.2024 të Shkallës së Parë të GJKKO-së.
Ky vendim vjen pas prishjes së vendimit të mëparshëm të Apelit të Posaçëm (nr. 51, datë 28.02.2025), nga Gjykata e Lartë, e cila kishte urdhëruar rikthimin e çështjes për rishqyrtim.
Sipas Apelit, vendimi i sotëm u mor në përputhje me legjislacionin dhe palët kanë të drejtën të paraqesin rekurs në Gjykatën e Lartë.