Kontrabandonte ora luksoze, fishekzjarrë dhe kapsolla, kapet i moshuari në Portin e Durrësit

Një 67-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë Kufitare të Portiti të Durrësit, pasi është kapur duke kontrabanduar në mënyrë ilegale 31 ora të markave të shtrenjta, kuti me lëndë piroteknike (780 fishekzjarre dhe kapsolla) dhe mallra të tjera të kontrabanduara.

Uniformat blu bëjnë me dije se i arrestuari transportonte edhe një shtetas 37-vjeç, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme.

Njoftimi i policisë

Port Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Vigjilje”, si rezultat i të cilit u parandaluan dhe u goditën një sërë krimesh kufitare.

Operacioni, nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port Durrës, në kuadër të kontrolleve të shtuara në prag të festave të fundvitit, me qëllim parandalimin e tregtimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve dhe mallrave të tjera të kontrabanduara.

U kap në flagrancë, teksa transportonte në rimorkion e automjetit që drejtonte, 31 ora të markave të shtrenjta, 6 kuti me lëndë piroteknike (780 fishekzjarre dhe kapsolla) dhe mallra të tjera të kontrabanduara, vihet në pranga 67-vjeçari.

I arrestuari transportonte edhe një shtetas 37-vjeç, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme.

Vihet në pranga edhe 37-vjeçari, pasi tentoi të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme dhe me dokumente të falsifikuara.

Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, si rezultat i kontrolleve me shërbime të shtuara dhe me pajisje të teknologjisë bashkëkohore, në prag të festave të fundvitit, me qëllim parandalimin e tregtimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike, goditjen e krimeve të tjera kufitare dhe ofrimin e një shërbimi cilësor për qytetarët në hyrje/dalje, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Vigjilje”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit B. R., 67 vjeç, banues në Tiranë dhe R. M., 37 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port Durrës, në automjetin që drejtonte shtetasi B. R., u gjetën 31 ora të markave të shtrenjta, 6 kuti me lëndë piroteknike (780 fishekzjarre dhe kapsolla) dhe mallra të tjera të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim, gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kapën shtetasin R. M., i cili transportohej nga 67-vjeçari, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik, shtetasit R. M. iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një dokument identifikimi i falsifikuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

/albeu.com/