Konjufca në OKB: Serbia po pengon normalizimin, duhet të përballet me realitetin dhe ta njohë Kosovën

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, i ka bërë thirrje Serbisë që të pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe fqinjësore, por sipas tij, pengesa kryesore në këtë proces vazhdon të jetë Serbia.

Të lidhura

None found

“Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia që as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as të hyjë në BE,” ka deklaruar ai.

Ai i bëri thirrje Beogradit që të ballafaqohet me realitetin dhe të njohë Kosovën, duke shtuar se veprimet e Serbisë po mbajnë peng të gjithë rajonin.

Në fjalën e tij, Konjufca akuzoi Beograd për ndërhyrje në proceset demokratike në Kosovë, përfshirë përpjekjet për të ndikuar në zgjedhje përmes mbështetjes së Lista Serbe.

“Beogradi ka vazhduar të luajë rolin e vet destruktiv duke u përpjekur të ndërhyjë në zgjedhje, duke synuar ta reflektojë drejtimin e vet përmes një partie në pushtet. Ne kemi penguar ndërhyrje të tilla të huaja dhe kemi arritur të ruajmë dinjitetin e institucioneve tona demokratike,” është shprehur ai.

Konjufca përfundoi duke theksuar se pavarësisht sfidave, Kosova do të vazhdojë të mbrojë rendin demokratik dhe sovranitetin e saj.


Shtuar 9.04.2026 17:17

Tags: ,