Përmes një reagimi në llogarinë e tij personale në “Facebook”, presidenti i vendit Bajram Begaj, ka përkujtuar 105 vjetorin e Kongresit të Lushnjes, si i vetmi autoritet i Shqipërisë me fuqi sovrane, që vetëvendosi aktin themeltar të shtetit, duke e shpëtuar vendin nga copëtimi dhe vëllavrasja.
Kreu i shtetit, shprehet se më 21 janar të vitit 1920, patriotët shqiptarë u mblodhën në Lushnje për të ringjallur pavarësinë e vendit, për të mbrojtur ëndrrën dhe sakrificën e Kuvendit të Vlorës.
Postimi i Begajt:
“Sot, 105 vjet nga Kongresi i Lushnjes, i vetmi autoritet i Shqipërisë me fuqi sovrane, që vetëvendosi aktin themeltar të shtetit duke e shpëtuar vendin nga copëtimi dhe vëllavrasja. Më 21 janar të 1920-ës, patriotët shqiptarë u mblodhën në Lushnje për të ringjallur pavarësinë e vendit, për të mbrojtur ëndrrën dhe sakrificën e Kuvendit të Vlorës.
Ata sfiduan çdo rrezik, dëshmuan vullnet të epërm në mbrojtje të tokave shqiptare dhe lirisë përballë forcave antikombëtare e atyre pushtuese.
Shqipëria është ngritur dhe mbrojtur nga njerëz të tillë, nga akte dhe vlera të tilla të larta.
Shqiptarët do t’i kujtojnë përjetë me nderim të thellë ata”, shkruan Begaj.