Konflikti për lavatriçen, si u mbajt 2 orë peng 25-vjeçari në Fier

Një 25-vjeçar pretendon se është marrë peng përreth dy orë gjatë ditës së djeshme në zonën e Fierit.

Policia tha se i riu është mbajtur pa dëshirën e tij në banesën e një shtetasi dhe për ngjarjen janë vënë nën akuzë tre persona. I riu pretendon se edhe është dhunuar. Pas “lirimit” nga vëllezërit dhe kunati i tyre, ai ka shkuar në rajonin e Policisë, duke denoncuar atë çfarë i ka ndodhur.

“PENGMARRJA”

Policia tha se ka arrestuar dy persona për ngjarjen dhe ka shpallur në kërkim një të tretë. Në pranga përfunduan shtetasit Erjon Agalliu dhe kunati i tij, Arben Bleta, përkatësisht 42 dhe 54 vjeç.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier bënë ndalimin e shtetasve E. A., 42 vjeç dhe A. B., 54 vjeç dhe shpallën në kërkim shtetasin B. A., 40 vjeç, banues në Fier”, sqaroi Policia. Policia sqaroi se të arrestuarit dhe personi i tretë i shpallur në kërkim, i kanë hequr lirinë për 120 minuta, 25-vjeçarit, në banesën e tyre. “Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë dhunuar fizikisht dhe i kanë hequr lirinë në mënyrë të paligjshme për rreth dy orë shtetasit A. R., 25 vjeç, banues në Fier. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë të mundur identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e dy autorëve dhe po punojnë për kapjen e autorit të tretë”, tha më tej Policia.

HISTORIA

I riu me një çantë me vegla pune ka shkuar në banesën e vëllezërve Agalliu për të rregulluar një lavatriçe. Burimet bënë me dije se 25-vjeçari me iniciale A.R, ishte telefonuar nga njëri prej vëllezërve për të rregulluar defektin, por pa qenë vetë i pranishëm atje. Pasi tekniku ka shkuar pranë banesës për të kryer “detyrën” që i ishte ngarkuar, ka takuar 42-vjeçarin dhe kunatin e tij.

Burimet thanë se i riu kishte shkuar më parë për të rregulluar lavatriçen e vëllezërve, por makina larëse kishte shfaqur sërish defekt. Ky ka qenë shkaku që vëllezërit janë përfshirë në debate me 25-vjeçarin. Ata kanë pretenduar se nuk e kanë mbajtur peng të riun, por vetëm kanë debatuar me të për defektin e përsëritur, për të cilën kishin paguar edhe më herët.

Megjithatë, pas debatit në banesën e autorëve, 25-vjeçari ka shkuar në komisariat duke pretenduar se është marrë peng. Pas kësaj, Policia është vënë në lëvizje, duke arrestuar dy persona dhe duke shpallur në kërkim edhe një të tretë, përkatësisht njërin nga vëllezërit Agalliu.

Policia ka kaluar materialet përkatëse pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier, e cila pritet të zbardhë plotësisht ngjarjen në lidhje me veprën penale të ngritur ndaj dy të arrestuarve atë të “Heqjes së paligjshme të lirisë” e kryer në bashkëpunim. /panorama


Shtuar 9.09.2021 13:51