Konfiskohen pasuritë e familjarëve të shqiptarit të arrestuar në Londër (EMRI)

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, ka ekzekutuar urdhrin për konfiskimin e pasurive të familjarëve të Fatjon Dautajt, i cili ndodhet në arrest në Mbretërinë e Bashkuar për një sërë veprash penale të rënda.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi vjen pas kërkesës së Prokurorisë, në kuadër të hetimeve për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Fatjon Dautaj, i arrestuar nga Policia Metropolitane e Londrës për veprën penale të “Vrasjes mbetur në tentativë”, është gjithashtu në hetim nga Agjencia Kombëtare kundër Krimit në Angli për “Trafik droge” dhe “Pastrim parash”.

Dyshohet se pasuritë e Dautajt dhe të familjarëve të tij janë vendosur nga aktivitete të paligjshme.

Njoftimi:

Prokuroria e Kukësit konfiskon pasuritë e familjarëve të shtetasit F.D. i arrestuar në Londër për ‘Trafik droge’ e ‘Pastrim parash’

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës u konfiskuan pasuritë e familjarëve të shtetasit F.D. nën akuzë për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Ky shtetas, i arrestuar nga policia Metropolitane e Londrës për veprën penale të “Vrasjes mbetur në tentativë”, ka qenë në hetim edhe nga Agjensia Kombëtare kundër Krimeve në Angli për veprën penale “Trafik droge” dhe “Pastrim parash”.

Pas sekuestrimit të pasurisë për shtetasin në fjalë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, konfiskoi pasuritë e mëposhtme:

– Pasuria e llojit “Njësi” me sip. 100m2;

– Pasuria e llojit “Truall” me sip. 64m2 dhe “ndërtesë” 64m2; si dhe

– Pasuria nr. 7/285-N3, me sipërfaqe 30m2.