Konfirmon Kremlini: Putin u takua me Prigozhin 5 ditë pas kryengritjes së grupit Wagner

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se presidenti rus Vladimir Putin u takua me Yevgeny Prigozhin, kreun e grupit privat mercenar Wagner, më 29 qershor, vetëm pesë ditë pasi grupi kishte marshuar në 200 kilometra larg Moskës në një kryengritjeje të shkurtë.

Peskov tha në një takim me gazetarët më 10 korrik se takimi ishte pjesë e një mbledhjeje tre-orëshe ku po merrnin pjesë 35 persona, përfshi komandantët e njësive nga Wagner, të cilët iu zotuan Putinit rus se do të vazhdonin të luftonin për të në luftën kundër Ukrainës.

Peskov nuk dha detaje se ku ndodhet aktualisht Prigozhini.

“E vetmja gjë që mund të them është se presidenti dha vlerësimin e tij për performancën e grupit në vijat e frontit gjatë operacionit të posaçëm ushtarak dhe po ashtu dha vlerësimin e tij për ngjarjet e 24 qershorit. Putin dëgjoi shpjegimin e komandantëve dhe ofroi opsione për punësimin e tyre dhe rolin e tyre luftarak”, shtoi Peskov.

Prigozhini dhe qindra luftëtarë të tij të armatosur mercenarë udhëhoqën një kryengritje të shkurtë më 24 qershor, kur pushtuan qytetin jugor rus të Rostov-mbi-Don dhe kërcënuan se do të marshonin drejt Moskës.

Kriza u qetësua pasi Prigozhini pranoi një marrëveshje që do t’i lejonte atij të shkonte në mërgim në Bjellorusi dhe t’u jepte mercenarëve të tij zgjedhjen për t’u bashkuar me të atje ose për t’u integruar në ushtrinë ruse.

Prigozhini nuk është shfaqur publikisht që nga shtypja e kryengritjes së tij, por udhëheqësi bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, fillimisht ka thënë se ai është në Bjellorusi.

Më 4 korrik, Lukashenka, tha se Prigozhini më nuk gjendet në Bjellorusi./rel


Shtuar 10.07.2023 14:37