Ditën e sotme është mbajtur Konferenca e parë e presidencës shqiptare në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Nga sot, deri më 30 qershor, Shqipëria do të drejtojë Presidencën e Këshillit të Sigurisë, organi më i fuqishëm i Organizatës së Kombeve të Bashkua, me seli në Neë York.
Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha zhvilloi fjalim në konferencën e parë të presidencës shqiptare në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Hoxha listoi prioritetet e Shqipërisë për muajin qershor në Këshillin e Sigurimit.
Ai tha se Shqipëria do të mbrojë gratë, paqen dhe sigurinë.
“Shqipëria do të mbrojë gratë, paqen dhe sigurinë. Është e rëndësishme të mbrojmë të drejtat e njeriut. kanë qenë disa vote të vështira dhe situata të jashtëzakonshme siç ka qenë dhe pandemia. presim të kemi shkëmbime të mira të mendimeve. do të kemi edhe përmbledhje për BE-në, do të flasim dhe për Ukrainën gjithashtu. Debati i hapur do të mbahet më 15 qershor.
Qershori konsiderohet tradicionalisht një muaj i ngarkuar. Ky vit nuk bën përjashtim. Programi i Punës për muajin qershor është i ngjeshur.
Prioritetet e Shqipërisë për muajin i bashkohen prioriteteve tona të përgjithshme për mandatin tonë në Këshill dhe janë të lidhura ngushtë me respektimin e së drejtës ndërkombëtare, forcimin e llogaridhënies, avancimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë, marrëdhëniet e OKB-së me organizatat rajonale dhe metodat e punës të Këshillit të Sigurimit.
Më lejoni të hyj në detaje për disa prej tyre. Së pari, çështja e llogaridhënies
Presidenca Shqiptare nis me një Debat të Hapur të nivelit të lartë mbi “Forcimin e Llogaridhënies dhe Drejtësisë për Shkeljet e Rënda të së Drejtës Ndërkombëtare” nën pikën e rendit të ditës Ruajtja e Paqes dhe Sigurisë.
Debati i Hapur do të zhvillohet nesër, i cili do të drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Prania në këtë nivel tregon se sa e rëndësishme është kjo temë për Shqipërinë dhe shpresojmë edhe për të gjithë anëtarët e tjerë.
Ruajtja e ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut janë në thelb të politikës së jashtme të Shqipërisë si dhe prioritetet kryesore gjatë mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit. Për një kohë të gjatë, ne kemi parë abuzime masive të të drejtave të njeriut dhe komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të mbajë përgjegjës autorët e krimeve të rënda.
Ne nuk mund dhe nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë. Ka një urgjencë për të vepruar, tani, në emër të viktimave të panumërta të konflikteve të pakuptimta:për gratë e dhunuara të Kosovës, për nënat e pikëlluara të Bosnjës, për fëmijët e Ukrainës, për viktimat pa emër në Tigray, për Azara në Afganistan,për Yazidët në Irak, për Rohyngias, për të burgosurit politikë në Myanmar dhe në Sudan, për të arrestuarit në Siri, për të gjithë gazetarët e vrarë në krye të detyrës; për këdo, kudo, të cilëve u janë mohuar të drejtat, e ardhmja e të cilëve është varrosur, ëndrrat e të cilëve janë shkatërruar nga abuzimi. Duhet të bëjmë më shumë, më mirë dhe më shpejt, për të gjithë ne, për atë që ne mbrojmë, për atë që na bashkon, për të mbështetur ligjin, për të mbrojtur Kartën e OKB-së, për të ruajtur multilateralizmin”, tha ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha.
Shqipëria më 1 janar u zgjodh për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën kohore 2022-2023.