Koncesioni i sterilizimit, SPAK do të rimarrë në pyetje ish-ministrin Beqaj

SPAK do të rimarrë në pyetje ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj lidhur me udhëtimet me biznesmenët Ilir Rrapaj dhe Umbro Staçini.

Ende nuk është vendosur se kur do të thirret Beqaj për të dhënë dëshminë e tij, pasi GJKKO orientoi SPAK të hetonte rreth rolit të ish-ministrit.

Dje ish-ministri deklaroi se të udhëtosh Tiranë – Romë apo Romë – Tiranë si dhe Tiranë – Vjenë apo Vjenë Tiranë është gjëja më normale dhe vetëm pse je në atë fluturim kjo nuk është indicie për fajësi.

Lidhur me koncesionin e sterilizimit janë arrestuar me urdhër të SPAK, ish-zëvendës ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj i akuzuar për shpërdorim detyre dhe Ilir Rrapajn i akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda” për koncesionin e sterilizimit.

Gjithashtu u vendosën edhe 6 masa të tjera sigurie.  Marsela Seriani dhe Saimir Kadiu u lanë në “arrest shtëpie” për shpërdorim detyre.

Kurse për Arben Gjatën, Naile Abazin, Gent Burazerin dhe Pertref Mersinin  u vendos masa “detyrim paraqitje” për shpërdorim detyre./Albeu.com/


Shtuar 21.08.2023 10:41