Komplikohet zhbllokimi i ngërçit Bullgari-RMV, KE nuk flet për ndarje mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut

Nga Erisa Zykaj

Vizita e një delegacioni bullgar në Manastir ka shkaktuar irritim në gjirin e disa komuniteteve të Maqedoninë së Veriut, veçanërisht atë jezuite. Siç raportohet nga media në Maqedoninë e Veriut, arsyeja e irritimit është vizita që delegacioni bullgar ka kryer në një qendër të një ashtuquajturi “bashkëpunëtor nazist”. I pyetur nëse Komisioni Evropian ka një reagim lidhur me këtë çështje në konferencën për shtyp të këtij institucioni (Midday briefing), zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero Hernandez është shprehur:

Ana Pisonero Hernandez, zëdhënëse e KE-së: “Ju e dini shumë mire qëndrimin tonë, sipas të cilit Shqipërina dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur kushtet për fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit. Hapat e mëtejshëm varen nga Këshilli i ministrave të Bashkimit Europian (shtetet anëtare). Ne shpresojmë që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të arrijnë një marrëveshje për çështjet bilaterale që janë pezull dhe shpresojmë që do jemi në gjende të çelim sa më shpejt zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me të dy vendet”.

Por, çështja komplikohet më tej si rrjedhim i një deklarate të dhënë ditët e fundit nga ministrja e jashtme e Bullgarisë, Teodora Genchovska, sipas të cilës, Bullgaria do vazhdojë të ushtrojë veton ndaj Maqedonisë së Veriut derisa kjo e fundit të plotësojë të gjitha kushtet për zhbllokimin e ngërçit bilateral midis dy vendeve lidhur me çështjet e identitetit, historisë dhe gjuhës. Ministrja Genchovske është shprehur se Bullgaria pret garanci kushtetuese për të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, duke rikonfirmuar qëndrimin e palës bullgare lidhur me mosrespektimin e të drejtave të minoritetit bullgar në Maqedoninë e Veriut. Komisioni Europian ka bërë të ditur, se nuk është një kompetencë e këtij institucioni të ndërhyjë në këtë çështje.

Ana Pisonero Hernandez, zëdhënëse e KE-së: “Kushtet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian janë të njëjtat nuk kanë ndryshuar. Për fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit, shtete anëtare të Bashkimit Europian duhet të aprovojnë kuadrin negociues. Komisioni Europian ka prezantuar propozimin lidhur me këtë çështje shumë kohë më parë. Diskutimet janë ende në nivelin e Këshillit të ministrave. Ne vazhdojmë të inkurajojmë Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut që të arrijnë një marrëveshje të ndërsjellë për çështjet bilaterale që janë pezull, që të bëjmë të mundur ecjen përpara në këtë proces. Ne konsiderojmë, se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë të ecin përpara dhe shpresojmë, që konferenca e parë ndërqeveritare të fiksohet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Lidhur me ndarjen e mundshme midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në vendimarrjen e Këshillit të ministrave, Komisioni Evropian nuk është përgjigjur, por ka ripërsëritur qëndrimin e mësipërm. Kjo bën të kuptohet, se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk e konsiderojnë aktualisht ndarjen e dy vendeve për çeljen zyrtare të negociatave të anëtarësimit në BE. /abcnews.al/