Nuk kanë munguar debatet as në mbledhjen e sotme në Komisionin Hetimor për çështjen e të dhënave të sistemit TIMS ku parashikohet që të miratohej plani i hetimit. Nënkryetari Toni Gogu, deklaroi se në mbledhjen e sotme duhen lejuar ekspertët që të flasin.
“Këtë moment të përgatitjes së draftit e drejtojnë ekspertët. Propozoj të dëgjohen ekspertët deri në fund dhe pasi ata s’kanë gjë për të thënë të hapet një seancë pyetjesh. Kjo është dita e ekspertëve, jo e jona që të vazhdojmë me gjyqin e radhës. Menjëherë t’i kthehemi normalitetit dhe t’i shmangim komentet pezhorative të tipit që “sot nuk është dita e teorisë”, deklaroi Gogu.
Por kur fjalën e morën ekspertët ata kanë kërkuar kohë për të dalë me një plan të unifikuar hetimi. Kundërshti ka pasur nga kryetari i komisionit Salianji i cili tha se ekspertët kanë pasur një javë kohë për planin.
“Nuk jemi këtu për t’u tallur, keni pasur një javë kohë. Nuk bëhet kjo gjë se keni marrë porosi për ta shtyrë”.
Anëtari i Komisionit, Nasip Naço tha se nuk mund të pranohen dot ekspertë që merren me politikë.
“Nuk e kuptoj sesi mund të jenë ekspertë të pavarur, kur në dy faqe janë marrë vetëm me PS. Unë nuk i konsideroj si ekspertë. Këta janë ekspertë që po merren me politikë. Hiqni dy faqet e para. Nuk e votoj”.
Ndërsa, Luan Baçi kujtoi se ekspertët janë zgjedhur nga partitë.
“Z.Naço ky është ligji që keni miratuar, ku ekspertët i zgjedh dy mazhoranca dhe dy opozita. Nëse vini re, ata që janë në palën tuaj marrin orientimet nga ju, edhe ata janë ekspertë tuaj. Ne nuk mund t’ju themi qytetarëve se janë ekspertë të pavarur, dy janë të mazhorancës dhe dy të opozitës. Ekspertët janë zgjedhur nga forcat politike të dy palëve.”