“Komisioni është i rreptë, por i parashikueshëm”, Rama falenderon disa herë presidenten Ursula von der Leyen

Kryeministri Edi Rama ka falenderuar presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, për ndihmën që i ka dhënë vazhdimisht Shqipërisë në procesin e Integrimit, dhe veçanërisht në sfidën e rindërtimit.

Rama tha se Ursula von der Leyen e ka ndjekur personalisht procesin e rindërtimit dhe ka qenë një nga miqtë e parë të Shqipërisë që ka reaguar pas rënies së tërmetit.

Kryeministri shtoi se me presidenten kanë folur dhe për procesin e Integrimit, që tani, sipas Ramës duket se është peng i vetos që Bullgaria ka vendosur ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Sot mirëpresim presidenten në një moment të rëndësishëm të Shqipërisë për integrimin në BE, por edhe për sfidat e përbashkëta të njerëzimit. Beteja me ndryshimet klimaterike që kanë sjellë të reja të padëshiruara për ne në mjedisin ku jetojmë, çka e kemi parë me zjarret kërcënuese që janë shtuar në mënyrë të ndjeshme në të gjithë botën, dhe ndërkohë edhe për faktin e mirë, që është lajmi i rindërtimi, i transformimit rrënjësor të të gjitha atyre familjeve që u goditën egërsisht nga tërmeti, dhe sot e shohin me sytë e tyre që rindërtimi po sjell një cilësi të re në jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

Në një proces që vazhdon dhe hap pas hapi po mbyllen të gjitha plagët që la ajo ngjarje. Është vizita e një gruaje që është angazhuar personalisht me gjithë zemër dhe të gjitha energjitë e saj, për të vënë të gjithë kapacitetin në mbështetje të të gjitha atyre familjeve dhe fëmijëve që dolën të goditur nga tërmeti, presidentes i takon një falenderim shumë i posaçëm, falenderim vllazëror, dhe thellësisht i sinqertë, për gjithçka ka bërë që nga momenti i parë i marrjes së lajmit për rënien e tërmetit.

BE është i lodhshëm në një aspekt që e dimë të gjithë, por është edhe një forcë e madhe ndaj njerëzve, kemi folur me presidenten edhe për procesin, situatën absurde në të cilën ndodhet Shqipëria në këto momente, pas vetos absurde të Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Faleminderit presidentes, e cila është një avokate e palëkundur e procesit, është një ndër ata që janë të bindur për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor në BE, dhe është papushim në përpjekje për ta nxitur procesin.

Siç e kam thënë dhe më parë Komisioni është i rreptë, por është dhe i parashikueshëm, pasi lidhet me detyrat. Në Këshillin Europian pastaj nis politika, dhe duke konsensus, mjafton njëri për të bllokuar, siç është në rastin konkret Bullgaria që për arsyet e veta ka marrë peng procesin”, tha Rama gjatë fjalës së tij që po mbahet në një prej kantierëve të rindërtimit në Krujë./albeu.com


Shtuar 28.09.2021 12:52