Ditën e sotme, në Bruksel po mbahet konferenca e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama me Marie Bjerre, Ministre e Çështjeve Europiane, Mbretëria e Danimarkës dhe Marta Kos, Komisionere Europiane për Zgjerimin.
Pasi u hapën dhe 4 grup-kapitujt e radhës në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Komisionierja Kos kujtoi se; “Është më e vështirë t’i hapësh, se sa t’i mbyllësh kapitujt”.
Më herët, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, deklaroi sot përpara Konferencës së 6-të Ndërqeveritare BE-Shqipëri në Bruksel se “Shqipëria po bën një punë mbresëlënëse” me reformat e integrimit evropian.
“Sot do të hapim grupkapitullin e pestë, për agjendën e gjelbër dhe lidhjen e qëndrueshme. Kjo është shumë e rëndësishme sepse, nëse vazhdojmë me këtë shpejtësi, do të jemi në gjendje të hapim të gjithë grupkapitujt brenda këtij viti”, tha Kos.
Komisionerja theksoi se, Shqipëria po tregon se me lidership të fortë, ndryshimi pozitiv është i mundur.
“Nëse ata arrijnë rezultatet, edhe Komisioni Evropian do t’i përmbahet premtimeve. Dhe, sigurisht, gjithçka bazohet mbi parimin e meritës”, tha Kos.
“Një gjë shumë e rëndësishme është se ne shohim dallime mes vendeve kandidate. Një nga rolet më të mëdha në procesin e anëtarësimit është roli i lidershipit. Nëse lidershipi tregon vërtet orientimin pro evropian, atëherë edhe qytetarët e ndiejnë që vendi po ecën në drejtimin e duhur”, shtoi më tej Kos.
Kos nënvizoi se, “qëllimi i qeverisë së Shqipërisë është të përfundojë pjesën teknike të procesit të negociatave deri në fund të vitit 2027. Komisioni Evropian po mbështet këtë vizion të qeverisë së re të kryeministrit Edi Rama”.
VIDEO – Konferenca e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama me Marie Bjerre, Ministre e Çështjeve Europiane, Mbretëria e Danimarkës dhe Marta Kos, Komisionere Europiane për Zgjerimin.