Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla ka marrë fjalën në Kuvend, ku tha se është dakordësuar për një komision të posaçëm, në lidhje me rolin e Kuvendit në procesin e anëtarësimit në BE.
Balla u ndal edhe te ligjet e propozuara nga Autoriteti i Dosjeve, duke i kërkuar edhe opozitës të mbështesë nismën për “despiunizimin e politikës shqiptare” siç e quajti ai.
“Sipas adetit, kryetari i grupit të shumicës i duhet që përveçse të thotë me pak fjalë objektivat e mazhorancës në këtë sesion të tretë të kësaj legjislature, të them edhe dy fjalë mbi ato që u thanë nga kolegët e pakicës parlamentare. E falënderoj zonjën Açka për kujtesën që bëri për atë që përfaqëson 5 shtatori, që është edhe dita ndërkombëtare e bamirësisë. Kuvendi duhet të ketë më shumë vëmendje për sa i përket shtresave në nevojë.
Kuvendi nuk do të mbetet mbrapa sa i përket rolit që ka në çeljen e negociatave. Kuvendi ka rolin udhëheqës në këtë proces, të jetë e qartë edhe për qeverinë.
Kemi dakordësuar ngritjen e një komisioni të posaçëm për të ndryshuar rolin e kuvendit të Shqipërisë. Do jetë komision me mandat shumë të shkurtër për të përqasur rolin në këtë proces të ri. Komisioni i posaçëm duhet miratuar.
Çështja e despiunizimit të politikës shqiptare është me rëndësi dhe mendoj që ngjitja e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit në të gjitha majat e piramidës shtetërore të Shqipërisë, kërkon reflektim nga kuvendi. Grupi i PS ka depozituar dy projektligjet që erdhën si poropozim i Autoritetit të Dosjeve, kërkojmë edhe mbështetjen e opozitës. Kjo duhet bërë me urgjencë”, tha Balla.
Më tej Balla i bëri ftesë të hapur opozitës.
E ftoj opozitën të bëhet pjesë e diskutimit konstruktiv në të mirë të ekonomisë dhe në të mirë të një lufte edhe më të afërt kundër terrorizmit dhe trafikimit të parave. Në fund, më lejoni t’ju them, punë të mbarë dhe opozita ka rolin e vetë. Mezi pres që të punojmë së bashku me tre krerët e grupeve parlamentare opozitare”, tha Balla./albeu.com