Situata në Kosovë aktualisht është e qetë. Kështu deklaroi komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajari, i cili nesër dorëzon detyrën. Gjatë mandatit të tij 1-vjeçar pati shumë zhvillime në fushën e sigurisë, si lufta në Ukrainë apo edhe trazirat në veri natën e 31 korrikut.
Komandanti i KFOR-it, në një intervistë për KosovaPress, pranon se lufta në Ukrainë rriti tensionet edhe në Kosovë, por që tani këto janë ulur ndjeshëm. Sipas tij, nuk ka asnjë kërcënim të shtuar të sigurisë ndaj Kosovës për shkak të zhvillimeve në Ukrainë.
“Do të thosha se kur filloi lufta në Ukrainë, në fund të shkurtit, ka pasur një rritje të dukshme të tensionit edhe në Kosovë. Por unë mendoj se kjo mund të ketë ndodhur në shumë vende të Evropës, sepse ka kaluar një kohë shumë e gjatë që kur kemi pasur një luftë në Evropë. Pra, menjëherë pas fillimit të pushtimit rus, ne përjetuam disa tensione në Kosovë, njerëzit ishin më të frikësuar, por më pas këto tensione u qetësuan dhe tani nuk e kemi këtë nivel të lartë të tensioneve. Sa i përket sigurisë, KFOR-i monitoron situatën në mbarë Kosovën dhe nuk kemi identifikuar ndonjë kërcënim të shtuar të sigurisë ndaj Kosovës për shkak të luftës në Ukrainë. Ne e kemi filluar këtë aktivitet monitorues edhe para se të shpërthejë lufta në Ukrainë, dhe me bindje mund të them se nuk kemi identifikuar ndonjë kërcënim të shtuar ndaj Kosovës, për sa i përket këtij konflikti në Ukrainë”, deklaroi Kajari.
Kajar thotë se në përgjithësi situata e sigurisë në Kosovë është stabile, përfshirë edhe komunat e veriut me shumicë serbe. Në këtë pjesë të vendit nata e 31 korrikut nuk ka qenë aq e qetë, pasi paralajmërimi për reciprocitet në targa bëri që të ngrihen postblloqe e të shfaqen edhe njerëz me armë.
“Do të thosha se gjatë ngjarjeve të 31 korrikut ka qenë një periudhë e tensionuar në komunat veriore. Siç e dinë të gjithë, në atë zonë u krijuan disa postblloqe dhe shumë njerëz morën pjesë në këto postblloqe. Morëm raporte se në postblloqe kishte njerëz me armë, që është një zhvillim i rrezikshëm, nëse e konsiderojmë atë nga pikëpamja e sigurisë. Më duhet të them gjithashtu se për shkak të sjelljes së përgjegjshme të të dyja palëve, kjo periudhë e tensionuar është zgjidhur me sukses. Me sa di unë, nuk ka pasur të lënduar nga asnjëra palë. Bllokim i rrugëve është zgjidhur për një kohë relativisht të shkurtër, sepse mendoj se institucionet në Kosovë dhe liderët serbë të Kosovës kanë qenë në gjendje të negociojnë, dhe arritëm të gjenim një zgjidhje. Brenda një dite u zgjidhën këto kërcënime serioze të sigurisë dhe gradualisht u kthyem në gjendjen normale të sigurisë në atë zonë”, tha ai.
Gjeneralmajor Kajari nuk dëshiron të bëjë përgjegjës askënd për zhvillimet e fund korrikut në veri, por thotë se politikanët duhet të jenë të kujdesshëm në deklaratat e tyre në mënyrë që të mos përshkallëzojnë situatën.
Ai thotë se dialogu Prishtinë-Beograd i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është platforma e duhur për të ngritur të gjitha çështjet dhe të shmangen trazirat.
“Nuk dua ta kërkoj fajtorin. Siç thashë, të gjithë, çdo politikan dhe çdo lider duhet të kenë parasysh peshën e fjalëve dhe duhet të shmangin përshkallëzimin e situatës me ekzagjerime. Dhe siç thashë, gjëja më e rëndësishme është që të përpiqemi për marrëveshje përmes negociatave dhe të shmangim veprimet e njëanshme, veçanërisht ato të dhunshme, sepse kjo nuk është zgjidhje për asnjë çështje të pazgjidhur. Ne e dimë se dialogu Prishtinë-Beograd po vazhdon me vite, është gjithashtu e padiskutueshme se një zgjidhje e qëndrueshme mund të gjendet vetëm përmes negociatave. Dhe meqenëse qëllimi i këtij dialogu është normalizimi i marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, kjo duhet të jetë vlera ku diskutohen këto çështje, dhe të arrihet një marrëveshje e negociuar, që situata të tilla si ato që ndodhën në fund të korrikut, të mund të shmangen”, tha ai.
Gjatë kësaj kohe, mediat në Serbi raportuan se ka pasur prezencë edhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës në komunat veriut. Por, komandanti i KFOR-it thotë se kjo nuk është e vërtetë.
Sipas tij, FSK as nuk ka bërë ndonjë kërkesë në mënyrë që t’ju lejohet shkaurja atje.
“Forca e Sigurisë së Kosovës sipas marrëveshjes me NATO-n, mund të hyjë në komunat veriore me shumicë serbe vetëm me pëlqimin e KFOR-it. Ky pëlqim nuk është kërkuar dhe sipas njohurive tona, Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ka qenë prezente në komunat veriore, siç është raportuar në media”, tha Kajar.
Gjeneralmajor Kajari thotë se bashkëpunimi me Forcën e Sigurisë së Kosovës, njëjtë sikurse me të gjitha institucionet e tjera të sigurisë, është shumë i mirë dhe vazhdojnë ta mbështesin FSK-në në bazë të mandatit të saj fillestar.
“Mendoj se bashkëpunimi me Forcën e Sigurisë së Kosovës është shumë i mirë, po aq i mirë sa me Policinë e Kosovës dhe me organizatat e tjera të sigurisë në Kosovë. Unë kam takime të rregullta me të gjithë udhëheqësit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe diskutojmë situatën e sigurisë në Kosovë, dhe diskutojmë mënyrën se si KFOR-i mund të bashkëpunojë me këto organizata. Sa i përket Forcës së Sigurisë së Kosovës, më duhet të ritheksoj se KFOR-i dhe NATO-ja mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës, sipas mandatit të tyre fillestar, dhe kjo do të thotë se ne po ofrojmë mbështetje dhe po bashkëpunojmë me Forcën e Sigurisë së Kosovës, për asgjësimin e mjeteve shpërthyese, si dhe bashkëpunojmë në ofrimin e asistencës humanitare, dhe ofrim të ndihmës në zonat e fatkeqësisë. Në këto fusha, bashkëpunimi është shumë e mirë”, vijoi Kajar.
Javë më parë, në media se KFOR-i kishte hequr një flamur të madh serb që ishte vendosur shumë pranë urës së Ibrit pas ceremonisë së përurimit të një sheshi. Kajar tha se atë e hoqën të njëjtit persona të cilët edhe e kishin vendosur.
“Kjo deklaratë është e pavërtetë. Ne e kemi monitoruar atë aktivitet dhe është shumë e vërtetë që ai flamur është hequr nga persona të veshur me kostume të zeza, por është një keqinformim, të themi kështu, se është hequr nga forcat e karabinierëve, të pranishëm në zonë. Flamuri është hequr nga organizatorët e kësaj ngjarjeje”, tha ai.
Në vigjilje të largimit të tij nga Kosova, gjeneralmajor Kajari thotë se ka arritur me sukses që KFOR të ketë vazhdimësi në punët të cilat i kishte trashëguar. Ai u shpreh synim të dytë kishte ruajtjen dhe rritjen e bashkëpunimit të mirë mes trupave të 28 shteteve të cilat janë prezente në KFOR.
Gjithashtu, ai u shpreh se ka pasur qëllim që gjatë periudhës së komandës hungareze të ruhen aftësitë e KFOR-it për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë, të paktën në nivelin që ishin kur mori komandën.
“Mendoj se gjatë periudhës së komandës hungareze, ne kemi mundur të vazhdojmë punën po aq mirë sa ka qenë gjatë periudhave të mëparshme komanduese këtu në Kosovë, dhe kemi mundur të ruajmë mjedisin e sigurt, dhe lirinë e lëvizjes, siç është paraparë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Besoj se edhe synimi i dytë është arritur, kjo është një çështje e brendshme, por siç e kam provuar, në gjysmën e dytë të periudhës së komandës, arritëm të bënim një ekip dhe staf shtabi shumë të mirë, të aftë për të punuar në mënyrë shumë efektive. Dhe qëllimi i tretë, ishte ruajtja e kapaciteteve të KFOR-it, apo sipas mundësive, përmirësimi i aftësive të KFOR-it, për t’iu përgjigjur çdo sfide të sigurisë, me asete jo kinetike ose kinetike, nëse ka nevojë. Mendoj se vitin e kaluar u dëshmua se KFOR-i e ruajti këtë aftësi, dhe ne ishim në gjendje t’i përgjigjeshim çdo lloj kërcënimi të sigurisë, në 12 muajt e fundit, kërcënime me të cilat po përballeshim, dhe arritëm të ruanim një mjedis të sigurt, dhe ia arritëm t’i përmbushim detyrat tona me sukses. Mendoj se mund të them se KFOR-i ka qenë i suksesshëm dhe ka mundur të bashkëpunojë me të gjithë akterët këtu në Kosovë”, përfundoi ai.
Gjeneralmajor Ferenc Kajar do të dorëzojë detyrën nesër tek gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia i Ushtrisë Italiane në një ceremoni të veçantë me pjesëmarrjen e krerëve të shtetit dhe institucioneve të tjera të sigurisë./KP/