Vendimi i Kolegjit Zgjedhor i ka dhënë drejtim sherrit të ditëve të fundit mes dy ish-aleatëve, Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit për “karrigen” në Parlament.
Ditën e sotme Kolegji Zgjedhor i dha mandatin zonjës Ana Dajko duke lënë jashtë Kuvendit Adriatik Lapajn dhe kandidaten e tij.
I ftuar në Neës 24, Lapaj u shpreh se ndihet i tradhtuar nga Endri Shabani.
Ndërsa tha se e ka pasur mik prej 12 vitesh dhe se Shabani ka ngrënë bukë në shtëpinë e tij, ai shtori se nuk e ka pritur këtë nga ai. Sipas Lapajt, gjithë sistemi u bë kundër, që ai mos të shkojë në parlament.
“Ne nuk kemi pasur luftë për një mandat, por për lista të hapura. Nëse do të doja që të isha në atë parlament, do e kisha të thjeshtë, sepse kam firmosur unë atë listë.
Por ne kemi dashur të hapim garën. Ne e bëmë marrëveshjen për qytetarët, beteja ka qenë gjithmonë për garën. Sa do e mbaj unë fjalën apo jo, duhet të merrja mandatin, e pastaj mund të gjykohesha. Duhet të ecnim vetëm në rrugën tonë, unë dhe z Shabanaj e shohim politikën pak ndryshe. Nuk na bën deputetllëku që të mbajmë anën e së drejtës, ne jemi përfaqësues të 80 mijë qytetarëve. Më kanë kërkuar, unë kam refuzuar që të bëhem palë me pushtetin.
U bë padrejtësi, do qëndroj deri në fund në parimet e mia dhe në parimet tona. “Shqipëria bëhet” është lëvizje model. Angazhimi ynë do jetë akoma më i fortë. Beteja jonë nuk do jetë në parlament.
Dajko është zonjë e nderuar, është nëna e një prej kandidatëve tanë. Beteja do jetë rrugëve të atdheut. Ndihem i tradhtuar nga z Shabani, ishte mik i imi për 12 vite, ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Kjo ishte arsye pse ula vigjilencën, sepse nuk e prisja që mund të ndodhte nga një shok dhe mik, se e kam pasur shok. Beteja jonë do jetë që të përfaqësohemi nga ata njerëz që duan votuesit. Njerëzit do na mbështesin, sepse kandidatët tanë janë njerëz me formim të shkëlqyer.”