Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me ndryshimet në Kodin Penal të diskutuar në seancën parlamentare. Me anë të një postimi në Facebook, Bardhi thekson se standardet europiane dhe raportet e OSBE-ODIHR kërkojnë depenalizimin e veprave penale të fyerjes dhe shpifjes.
Bardhi shkruan ndër të tjera se, janë plot 77 gazetarë në Shqipëri që po përballen me akuza për shpifje nga politikanë apo ish-prokurorë/gjyqtarë të shkarkuar nga vettingu. Në fund, Bardhi thekson se opozita mbështet depenalizimin e plotë të veprave penale të shpifjeve/fyerjeve.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhi:
Standardet europiane për lirinë e shprehjes dhe raportet e OSBE-ODIHR kërkojnë që Shqipëria të depenalizojë veprat penale të fyerjes dhe shpifjes, duke i konsideruar vetëm shkelje civile. Kjo masë është e rëndësishme për garantimin e lirisë së shprehjes, veçanërisht për median dhe aktivistët e shoqërisë civile.
Sot janë plot 77 gazetarë në Shqipëri që po përballen me akuza për shpifje nga politikanë apo ish-prokurorë/gjyqtarë të shkarkuar nga vettingu. Ky përbën një rrezik real për lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve. Për këtë arsye, opozita mbështet depenalizimin e plotë të veprave penale të shpifjeve/fyerjeve, si dhe mbështesim reformimin e rregullave civile për këtë shkelje sipas standardeve europiane.
