Kodi i ri Penal/ Reagon edhe OSBE: Nuk na është marrë mendimi për draftin

Drafti i Kodit të ri Penal, të propozuar nga qeveria, është pritur me kundërshti të shumta. Krahas zërave të pafundme kundër edhe nga vetë sistemi i drejtësisë si SPAK-u, Prokuroria e Përgjithshme apo edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë apo mediave, ditët e fundit edhe faktori ndërkombëtar është “rreshtuar” kundër.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ka reaguar lidhur me draftin e ri të Kodit Penal, i cili ka shkaktuar shqetësim të gjerë për dispozitat që mund të penalizojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe kritikën.

Në një koment të ndarë në rrjetin social FB, OSBE thekson se nuk ka qenë e përfshirë në hartimin e ndryshimeve të propozuara dhe nuk i është kërkuar mendim paraprakisht.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri thekson rëndësinë e Kodit Penal si një ligj themelor që meriton kohë të mjaftueshme dhe një proces konsultimi të plotë. Megjithëse nuk kemi qenë të përfshirë në hartimin e ndryshimeve të propozuara, po shqyrtojmë draftin e disponueshëm dhe jemi të gatshëm t’u ofrojmë rekomandime konkrete qeverisë dhe parlamentit të ri, në përputhje me mandatin tonë për të mbështetur institucionet demokratike dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.

Kujtojmë që edhe Delegacioni i BE në Tiranë, ka deklaruar se nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve gjatë diskutimeve të hartimit të dispozitave të Kodit Penal, por vë theksin te procesi gjithëpërfshirës që duhet të shoqërojë miratimin e tij.


Shtuar 3.08.2025 12:18