Koalicioni LSDM-BDI punë e kryer, Besa mbetet e vetme, por a ka shpresë?

Tashmë është arritur marrëveshja mes Ali Ahmetit dhe Zoran Zaevit për koalicion në zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vjeshtë. Sipas burimeve të in7 brenda LSDM’së, Ahmeti ka arritur të “prishë” koalicionin mes Zaevit dhe Kasamit i quajtur “Mundemi”, duke e bindur kreun e qeverisë që në zgjedhje të dalina bashkë, por pa Lëvizjen Besa.

Edhe përkundër tentimeve të Zaevit që të arrihet një marrëveshje edhe me Lëvizjen Besa brenda koalicionit, sërish insistimi i Ahmetit ka ngadhnjyer dhe Besa mbetet jashtë koalicionit përfundimisht. Marrëveshja është e ngjashme me atë të para katër viteve.

LSDM do ta përkrahë që në rrethin e parë BDl’në në Tetovë, Kërçovë, Gostivar, Çair dhe në komuna ku LSDM ka numër jorelevant votash, ndërsa BDl do ta përkrahë në Shkup, Gazi Babë, Butel dhe komuna tjera, shkruan in7.

Burime të njëjta theksojnë se Zaevi nuk do të qëndrojë prapa Kasamit në Tetovë dhe këtë ia ka bërë të ditur atij. Nga Lëvizja Besa janë të vetëdijshëm se tashmë sipas gjitha gjasava do të garojnë të vetme, duke rrezikuar seriozisht edhe Komunën e Zhelinës, ku aktualisht e kanë kryetarin.

Lëvizja Besa theu tabunë në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ku nga një parti nacionaliste dhe fetare bëri koalicion me një parti maqedonase duke garuar me lista të përbashkëta. Kjo ishte zgjedhje pragmatike e momentit për krerët e Besës, por që sipas gjitha gjasave do t’i kushtojë shtrenjtë. Kjo për arsye se tani mund të mbetet pa partner edhe tek partitë shqiptare.


Shtuar 25.06.2021 19:06

Tags: , ,