KLSH trondit Bashkinë Fier: Armando Subashi dhe punonjësit “zhdukën” 130 milionë lekë karburant

KLSH ka gjetur shkelje në Bashkinë Fier duke konstatuar në raport dhe Armando Subashi dhe 120 punonjës janë përgjegjës për konsumin pa asnjë “dokument” të 81 450 litrave karburant.

KLSH ka publikuar raportin përfundimtar të auditimit në Bashkinë Fier duke pasqyruar shkelje të mëdha sa i përket konsumit të karburantit të blerë përmes tenderëve të mëdha me paratë e taksapaguesve, ndërkohë që përdorej për qëllime personale, shkruan AlbEu.com.

Sipas KLSH-së, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, ka vjedhur naftën e blerë për bashkinë, një akuzë e fortë kjo, e cila nëse do të ndiqet ligjërisht do të shkaktojë pasoja të mëdha ligjore për Subashin.

Sipas KLSH 120 punonjës të Bashkisë së Fierit kanë konsumuar rreth 81 450 litra karburant me vlerë rreth 130 milionë lekë të vjetra në mënyrë të pajustifikuar.

Inspektorët e KLSH kanë konstatuar se personat në fjalë janë të punësuar për punë që lidhen me zyrën dhe jo inspektime në terren për të konsumuar kaq sh më karburant.

KLSH kërkon urgjentisht nga Armando Subashi dhe Bashkia Fier që t’u marrë mbrapsht paratë e naftës personave në fjalë.

Në raport thuhet konkretisht:

Nga auditimi i konsumit të karburantit, konstatohet se Bashkia Fier ka nënshkruar kontrata hua-përdorimi me disa nga punonjësit e saj, për përdorimin 287 e mjeteve të tyre personale në funksion të bashkisë. Për këtë qëllim Bashkia Fier ka mbuluar furnizimin me karburant të mjeteve private të punonjësve.

Kontratat e hua-përdorimit janë të nënshkruara ndërmjet punonjësve të institucionit dhe nga znj. A. H., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, z. M. G., me detyrë Shef i Sektorit të Transportit dhe Licencave pranë Drejtorisë së Punëve Publike dhe Transportit, K S., me detyrë Drejtor i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit. Autorizim për lidhjen e këtyre kontratave ka pasur vetëm Znj. A. H. sipas shkresës së Kryetarit të Bashkisë Z. A. S. me nr. 470 prot., datë 21.01.2020..

Në total për vitet 2017- 2021 janë 120 punonjës që kanë nënshkruar kontrata hua-përdorimi për vendosjen e automjeteve të tyre në dispozicion të institucionit dhe furnizimin e tyre me karburantin e bashkisë. Konkretisht për vitin 2017 janë nënshkruar 15 kontrata, për vitin 2018 janë nënshkruar 26 kontrata, për vitin 2019 janë nënshkruar 26 kontrata, për vitin 2020 janë nënshkruar 26 kontrata dhe për vitin 2021 janë nënshkruar 27 kontrata. Numri i kontratave të nënshkruara, përbën edhe numrin e punonjësve me të cilët janë lidhur këto kontrata.

Si dokumentacion justifikues nga punonjësit të cilët kanë përfituar karburant nga bashkia, paraqiten fletët e udhëtimit për lëvizjen e mjetit, por nuk ka program pune, apo autorizim të miratuar nga titullari i institucion, ku të përcaktohet dhe argumentohet qëllimin e lëvizjes së punonjësve.

Kryesisht personat që kanë tërhequr këtë sasi karburanti ushtrojnë detyra funksionale në zyrë dhe jo në terren dhe nuk përfitojnë asnjë lloj trajtimi financiar.

Veprimet e mësipërme të Bashkisë Fier, bien në kundërshtim me VKM nr. 977, datë 10.12.2010, “Për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë qendrës së punës, brenda vendit”, i ndryshuar, në të cilën përcaktohet si kryhet trajtimi financiar për përballimin e shpenzimeve të shërbimit të punonjësit.

Në total për vitet 2017-2021 për 120 punonjës janë tërhequr gjithsej 81,450 litra karburant dhe sipas fletë-daljeve nga magazina çmimi mesatar i karburantit është 60 lekë/litër, që do të thotë se e gjithë sasia prej 81,450 litra ka një vlerë prej 13,032,000 lekë, e cila përbën dëm ekonomikë për buxhetin e Bashkisë Fier. (Më hollësisht trajtuar në pikën 8.a, faqe 218-229 të Raportit Përfundimtar të Auditimit).

1.1.Rekomandim: Kryetari i Bashkisë Fier dhe Drejtoria Juridike, të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të ndjekin të gjitha procedurat ligjore, për arkëtimin e vlerës prej 13,032,000 lekë, nga 120 personat të cilët kanë përfituar në mënyrë të pa drejtë sasi karburanti të blerë nga shpenzimet e buxhetit të bashkisë.

Lexoni raportin e plotë /albeu.com


Shtuar 15.08.2023 15:41