KLSH nxjerr zbuluar qeverinë: Nuk është ofruar shërbim i mirë shëndetësor në pandemi

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kritikuar qeverinë për menaxhimin e pandemisë. Departamenti i Auditimit të Performancës në Kontrollin e Lartë të Shtetit, ushtroi një auditim me temë “Efektiviteti i menaxhimit të situatës pandemike Covid-19” në subjektet Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Institutin e Shëndetit Publik.

Sipas KLSH-së, institucionet kanë marrë masa, por ka shumë problematia në systemin shëndetësor, përfshirë këtu kapacitete spitalore rajonale të pamjaftueshme për trajtimin e rasteve me COVID-19, funksionimin joeficient të qendrave shëndetësore të njësive të vendore të kujdesit shëndetësor, kapacitete profesionale të specialistëve të sëmundjeve infektive në kujdesin shëndetësor parësor shumë të kufizuar, fonde financiare të pamjaftueshme, mangësi në stokun e materialeve të mbrojtjes personale (MMP-ve), pamjaftueshmëri në  trajnimet e stafit mjekësor, pasiguri në vendin e punës, etj”.

“Përballë një virusi të panjohur, shoqëruar me humbje jete të njerëzve, menaxhimi i situatës nga sistemi ynë shëndetësor, nuk ishte shumë efektiv. Politikat e ndjekura nga MSHMS dhe institucionet shëndetësore publike dhe jopublike nuk realizuan ofrimin e shërbimit shëndetësor si një e mirë publike, qëllim i ekzistencës dhe politikave të tyre, për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve”, thotë më tej KLSH.

Në kushtet kur Shqipëria sot, referuar standardeve evropiane, “përballet me sfidën e mbulesës së kujdesit shëndetësor universal në shëndetësi, nevojitet që, politikat shtetërore të realizojnë parimet e një të mire publike në shërbim të rritjes së cilësisë së jetës së qytetarëve drejt integrimit evropian”./albeu.com


Shtuar 14.10.2021 14:57