KLP hap garën për kreun e ri të SPAK, kandidatët 3 javë afat për të paraqitur dokumentacionin

Gjatë mbledhjes së sotme (17 Shtator 2025), Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka vendosur të hapë garën për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme, pasi mandati i drejtuesit aktual Altin Dumani, përfundon më 18 Dhjetor.

KPL, propozoi që kandidatëve t’u lihet një afat prej 3 javësh për të shprehur interesin e tyre për postin e kreut të SPAK.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është caktuar data 8 tetor, ndërsa kandidatët duhet të paraqesin në platformën e tyre disa pika kyçe që do të jenë vendimtare në procesin e përzgjedhjes:

Eksperienca në çështje sensitive, sidomos ato që lidhen me hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit;

Aftësitë drejtuese dhe organizative, të domosdoshme për menaxhimin e një strukture të posaçme si SPAK;

Përvoja në hartimin dhe miratimin e rregulloreve administrative, që sigurojnë funksionimin institucional;

Eksperienca në çështje me jehonë të lartë publike dhe ndërveprimi me median në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente;

Aftësi në menaxhimin e burimeve njerëzore, me fokus në drejtim efektiv dhe motivim profesional;
Vizioni strategjik për organizimin dhe funksionimin e SPAK, që garanton një institucion të pavarur dhe efikas;

Imazhi publik dhe integriteti profesional përgjatë karrierës si prokuror.

Në mbledhje kanë marrë pjesë dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe OPDAT.


Shtuar 17.09.2025 10:56