110 vende pjesëmarrëse në samitin e Klimës në Glasgow, kanë rënë dakord për frenimin e shpyllëzimit të rruzullit tokësor.
Kjo ishte arritja e parë e madhe e samitit, një marrëveshje për frenimin e shpyllëzimit të globit.
Firmëtarët janë liderë të 110 shteteve, mes të cilëve edhe vende si Brazili, ku projektet e presidentit Bolsonaro për hapjen e tokave të reja të punueshme, duke prerë mijëra hektarë pyje në rajonet e mbrojtura të Amazonës që konsiderohen mushkëria e globit, kanë ngjallur debate dhe kritika të ashpra.
Mes vendeve firmëtare që mbulojnë 85% të pyjeve të botës janë edhe Shtetet e Bashkuara, Kina, Indonezia e Republika Demokratike të Kongos. Mes tyre, ndikim në shpyllëzim ka edhe nxjerrja e lëndëve kryesore për prodhimin e ushqimeve, si vaji i palmës, soja e kakao.
Prerja e pyjeve ushqen ngrohjen globale, pasi pemët përthithin një pjesë të rëndësishme të dioksidit të karbonit që çlirohet në atmosferë. Vendet angazhohen për grumbullimin e 19.2 miliardë dollarëve fonde publike e private për këtë çështje, që do të shkojnë për të mbuluar kostot edhe të vendeve në zhvillim.
Gjatë samitit ra në sy edhe përgjumja e presidentit amerikan Joe Biden, për shkak të dy ditëve të gjata të punës. 79-vjeçari mori pjesë edhe në punimet e samitit të G-20-ës në fundjavë në Romë./albeu.com/