Klientët i gjente në rrjetet sociale, policia arreston tutorin 19-vjeçar që shfrytëzonte vajzat për prostitucion

Policia e Tiranë ka arrestuar një 19-vjeçar, i cili shfrytëzonte vajza të reja për prostitucion, ndërkohë u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasja E. A., 22 vjeçe, për ushtrim të këtij aktiviteti.

Sipas policisë, i riu dyshohet se ka shfrytëzuar për prostitucion, kundër përfitimeve monetare, shtetase të moshave 18-25 vjeçe, dhe ky aktivitet i paligjshëm kryhej në hotele dhe hostele të ndryshme të Tiranës.

Ndërkohë 19-vjeçari i gjente klientët nëpërmjet rrjeteve sociale, të cilët më pas i orientonte në vende të caktuara për tu takuar me shtetaset që i shfrytëzonte për prostitucion.

Arrestimi u bën pas denoncimit në emisionin investigativ “Piranjat”.

Njoftimi i policisë

Tiranë

Në lidhje me një video të postuar në emisionin investigativ “Piranjat”, e cila bën fjalë për një rast shfrytëzimi prostitucioni, ju bëjmë me dije se:

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasit të përmendur në video.

Në vijim të veprimeve u bë ndalimi i shtetasit B. M., 19 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasja E. A., 22 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.

Shtetasi B. M., dyshohet se ka shfrytëzuar për prostitucion, kundër përfitimeve monetare, shtetase të moshave 18-25 vjeçe, dhe ky aktivitet i paligjshëm kryhej në hotele dhe hostele të ndryshme të Tiranës. 19-vjeçari nëpërmjet rrjeteve sociale gjente klientë të ndryshëm, të cilët më pas i orientonte në vende të caktuara për tu takuar me shtetaset që i shfrytëzonte për prostitucion. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht njëra nga këto shtetase.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.


Shtuar 24.09.2023 10:11