“Kjo plehër do të flasë me ju…”, francezja arrestohet për fyerje ndaj Macron, rrezikon gjobën e majme

Një grua në Francën veriore do të dalë në gjyq me akuzat për fyerje të Presidentit Emmanuel Macron pasi e quajti atë “plehër” në një postim në Facebook. Gruaja rrezikon një gjobë prej 12 mijë eurosh, por jo me burgim, nëse dënohet në gjyqin që do të mbahet në qershor.

Valerie, 50 vjeç, u arrestua të premten dhe u mor në paraburgim pasi agjencia administrative lokale e shtetit paraqiti një ankesë për postimin e saj në Facebook, tha për AFP prokurori i qytetit verior të Saint Omer, Mehdi Benbouzid.

Ankesa përqendrohej në një postim në faqen e saj në Facebook të bërë më 21 mars, një ditë përpara se Macron të jepte një intervistë gjatë drekës në kanalin TF1 për të mbrojtur reformat e tij të diskutueshme të pensioneve që kanë shkaktuar protesta mbarëkombëtare.

“Kjo plehër do të flasë me ju në orën 13:00…gjithmonë në TV e shohim këtë plehër”, shkroi Valeria.

Sipas france24.com, gruaja, 50 vjeçe, ishte mbështetëse e protestave të “jelekëve të verdhë” 2018-2019 që tronditën Macron gjatë mandatit të tij të parë. Ajo akuzohet për “fyerje të presidentit të Republikës” dhe do të gjykohet më 20 qershor në Saint-Omer, tha prokurori.

“Ata duan që unë të bëhem një shembull”, i tha gruaja gazetës rajonale La Voix du Nord, e cila raportoi fillimisht akuzat.

Gruaja, e quajtur nga gazeta si Valerie, tha se ishte e habitur kur iu përgjigj një trokitjeje në derë të premten në mëngjes për të zbuluar se policia kishte ardhur për ta arrestuar.

“I pyeta nëse ishte shaka, nuk isha arrestuar kurrë”, tha ajo.

Lëvizja e protestës disamujore kundër reformës së pensioneve ka shkaktuar tension social në Francë dhe Macron dhe qeveria e tij po refuzojnë të tërhiqen. /albeu.com


Shtuar 30.03.2023 14:16