Përzgjidhet logoja e 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut me imazhin e memorialit të “Nëna Shqipëri”

Me simbolin e memorialit të “Nënë Shqipëri”, që gjendet në hyrje të Varrezave të dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore”, të realizuar nga Kristaq Rama, Muntaz Dhrami dhe Shaban Hadër, por me flamurin tonë. Kjo  është logoja zyrtare e 80-vjetorit të Çlirimit të atdheut.

Ejona Karkini është fituesja e përzgjedhur mes 64 aplikuesve nga Komisioni Shtetëror i 80-vjetorit të Çlirimit, në një konkurs të hapur të mbajtur nga Ministria e Kulturës dhe Inovacionit.

“Logoja Kombëtare 80 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë përmban Monumentin Nëna Shqipëri,  nëpërmjet se cilës u mundova të përcjell lirinë që fal figura e saj me elementë si veshja që valëvitet, që në këtë rast mban në dorë flamurin shqiptar, ndryshe nga skulptura ku ajo ka gjethe dafine dhe një yll. Ashtu si flamuri merr prezencë skenike kur valëvitet nga era, ideja e shiritit që formon 80-en e viteve që gëzojmë si të çliruar, ndjesia që të jep pavarësia” tha autorja 26 vjeçare Ejona Karkini, ish studente e arkitekturës

Imazhi i logos u prezantua për herë të parë sot pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, pasi tashmë të gjitha autoritetet publike në vend do të kenë në shkresa këtë logo deri në përfundim të vitit.

80-vjetori i Çlirimit është miratuar si vit jubilar mbarëkombëtar nga Këshilli i Ministrave, në nder të heronjve e dëshmorëve që i dhuruan këtij vendi lirinë.

 


Shtuar 29.04.2024 13:16