Kishte dalë me shokët dhe u aksidentua/ Prej 20 ditësh 30-vjeçari Jurgen Karaj i zhdukur, vëllai i tij prek me fjalët: Dua ta gjej që ta di ku ta qaj…

Këtë të enjte, Endrit Karaj, vëllai i 30-vjeçarit Jurgen Karaj, trupi i të cilit vijon i zhdukur prej 20 ditësh pas aksidentit, ka folur në “Shqipëria Live”, duke u shprehur se kërkimet vijojnë, por ende nuk ka asnjë shenjë.

Ai tregoi se i vëllai kishte dalë me shokët, por u aksidentua me njërin prej tyre dhe që nga ai moment nuk dihet se ku ka përfunduar trupi.

“Këto kanë qenë ditë të vështira, shumë të vështira. U bënë plot 20 ditë që kërkojmë, unë, policia, njerëzit e mi të afërt por ende asgjë. Natën e ngjarjes ai ka qenë me shokët dhe ka ndodhur aksidenti. Unë nuk kam qenë në Shqipëri dhe nuk e di saktësisht si ka ndodhur. Deri tani po na ndihmon ushtria, bashkia, FNSH e Shkodrës dhe banorë të zonës, të gjithë pa përjashtim. Dua ta gjej që ta di ku ta qaj, ta di se ku prehet që t’i çoj një lule. E kemi kërkuar ngado por nuk ka asnjë shenjë deri më tani. Unë dua t’i falenderoj të gjithë për ndihmën, ish-deputetin Kreshnik Çollaku, ushtrinë e Kosovës dhe të gjitha autoritetet shqiptare”,- tha ai.

Aksidenti i rëndë ka ndodhur në orët e para të 9 janarit, ku një makinë u aksidentua dhe përfundoi në përroin në fshatin Darsë të Klosit.

I riu ka qenë duke udhëtuar me makinë, ku drejtues ishte Andi Losha, i cili u largua nga vendi i ngjarjes pa lajmëruar policinë dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit.


Shtuar 29.01.2026 14:50