Policia e Gramshit ka arrestuar katër persona për kthimin e Lokaleve të tyre në baza të konsumit të lëndëve narkotike.
Njëri prej të arrestuarve ishte pronari i lokalit, ndërsa tre të tjerët ishin klient, të cilëve gjatë kontrollit ju gjet lëndë narkotike me vete.
Njoftimi i policisë:
Goditen 2 raste të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Vihet në pranga pronari i një lokali, për përshtatje të lokalit për përdorim droge.
Në pranga edhe 3 shtetas të tjerë, të cilëve gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë iu gjetën lëndë narkotike.
Gjithashtu, procedohen penalisht dhe 4 shtetas të tjerë.
Sekuestrohen doza me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, si dhe fara kanabisi.
Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një lokal në një lagje të qytetit të Gramshit ishte përshtatur për përdorim droge, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh ushtruan kontroll në lokalin e shtetasit E. H.
Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: P. F., 51 vjeç, Xh. S., 30 vjeç dhe E. H., 54 vjeç (pronari i lokalit).
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit P. F., në ambientet e lokalit, Policia i gjeti një sasi lënde narkotike kokainë, ndërsa nga kontrolli në banesë iu gjetën një sasi farash kanabisi dhe një sasi lënde narkotike kanabis e ndarë në doza. Shtetasit Xh. S., gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi e vogël lënde narkotike kanabis e ndarë në doza.
Kontrolli ka vijuar edhe në një lokal tjetër, ku gjatë kontrollit fizik ndaj klientëve të lokalit, Policia arrestoi në flagranë shtetasin F. Z., 19 vjeç, pasi iu gjet një sasi lënde narkotike e ndarë në doza.
Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: K. D., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi gjatë kontrollit i është gjetur një sasi e vogël lënde narkotike, si dhe shtetasit R. B., M. B. dhe D. K, banues në Gramsh, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokaleve për përdorim droge” dhe “Moskallëzimi i krimit”./albeu.com/