Kishin përshtatur ambientin afër shtëpisë për tharjen e bimëve narkotike, arrestohet 31-vjeçari në Krujë. Në kërkim bashkëpunëtori

Policia e Krujës ka vënë në pranga një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi kishin përshtatur një ambient, në fshatin Mafsheq, për tharjen e bimëve narkotike.

Ndërsa për një të mitur, ka nisur hetimi në gjendje të lirë.

Në kuadër të operacionit “Outside” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 31 vjeç, banues në Domje, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për një të mitur 16 vjeç, banues në Fushë Krujë. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi O. C., 20 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Këta 3 shtetas kishin përshtatur një ambient në afërsi të banesës së shtetasit A. M., në fshatin Mafsheq, për tharjen e bimëve narkotike. Gjatë kontrollit në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën rreth 11 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe disa bimë në proces tharjeje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 1 armë zjarri, që u gjet e fshehur gjatë kontrollit të ambientit në afërsi të bimëve narkotike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com 


Shtuar 12.10.2023 14:57