Kina kërcënon me ushtri në rastin e një vizite të Pelosit në Tajvan

Tensionet mes Kinës e Tajvanit janë në pikën më të keqe.

Autoritetet kineze kanë paralajmëruar për veprime të forta dhe efektive nëse drejtuesja e Kongresit amerikan, Nancy Pelosi viziton Tajvanin në kuadër të turit të vet aziatik.

“Nëse Pelosi viziton Tajvanin, kjo do të shënonte një ndërhyrje të madhe në politikën e brendshme të Kinës dhe do të çojë në pasoja serioze.

Ushtria Çlirimtare Popullore Kineze nuk do të qëndrojë duke parë dhe pa bërë asgjë”, citohet të jetë shprehur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian.

Sipas tij vizita e zyrtares amerikane do t’i jepte goditje marrëdhëneve mes SHBA dhe Kinës dhe do të destabilizonte situatën në ngushticën e Tajvanit.

Pelosi është raportuar se do vizitojë Singaporin, Malajzinë, Korenë e Jugut dhe Japoninë, por kur është pyetur nëse do të vizitojë Taipein ka refuzuar të qartësojë nëse një gjë e tillë do të ndodhë apo jo.

Shtuar 1.08.2022 22:47