Kina dhe Tajvani drejt luftës, të gjitha pyetje-përgjigjet e asaj që nuk shmanget dot

Nga Yves Bourdillon “Worldcrunch

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Sipas të gjitha gjasave, Kina do ta sulmojë një ditë Tajvanin. Të gjitha shenjat flasin për këtë skenar dramatik, që do të shkaktonte një konflikt ekonomik dhe ndoshta edhe ushtarak midis Kinës dhe SHBA-së, të cilat po garojnë aktualisht për pozicionin e fuqisë kryesore në botë dhe se kush do të jetë “bosi” i Paqësorit.

Një konflikt i tillë mund të përfshijë vendet evropiane dhe ndoshta Filipinet, Japoninë, Australinë, Vietnamin dhe Indinë. Një fitore e Pekinit, do ta lejonte atë të dominonte të gjithë Azinë-Paqësorin. Në fakt, regjimi i Xi Jinping është i fiksuar pas idesë së ri-integrimit të “ishullit rebel”, siç e quan ajo Tajvanin.

Ai argumenton se Tajvani ka qenë nën kontrollin e Pekinit për një pjesë të historisë së tij (në vitet 1683-1895; pjesën tjetër të kohës, ishte nën sovranitetin portugez, holandez dhe më pas japonez, përpara se reliket e regjimit nacionalist të zbarkonin atje në vitin 1949).

Për liderin kinez është e paimagjinueshme heqja dorë prej tij, dhe kjo ilustrohet nga këmbëngulja e tij në doktrinën e tij “Ëndrra Kineze”, ku thekson ndër të tjera se ”separatizmi tajvanez” do të ishte “kërcënimi më serioz për përtëritjen kombëtare”. Sipas Xi, ri-integrimi do të ndodhë me mjete të drejta apo të pista. Sipas të gjitha gjasave, kjo e fundit nënkupton përdorimin e forcës.

Gllabërimi i Tajvanit, si një obsesion

Në fakt, një zgjidhje paqësore e status quo-së është ndërfutur në “murin” e realitetit. Sipas sondazheve, vetëm 6 për qind e 24 milionë tajvanezëve dëshirojnë të ribashkohen me Kinën, ndërsa 8 për qind e përkufizojnë veten kryesisht si kinezë, pavarësisht etnisë dërrmuese të Tajvanit, që është ajo e popullit të komunitetit etnik Han.

Tre të katërtat e tyre thonë se janë gati ta mbrojnë ishullin në rast lufte. Mënyra në të cilën formula “një vend, dy sisteme” në Hong Kong ka çuar në shpërbërjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës është një përvojë shumë kthjelluese, sidomos për tajvanezët që deri dje mendonin se do të ishte i dobishëm ribashkimi me Kinën.

Disa pretendojnë se Kina nuk do të guxojë kurrë që të sulmojë Tajvanin, për shkak të kërcënimit të sanksioneve të kushtueshme perëndimore. Por disa përdorën të njëjtin arsyetim për të hedhur poshtë edhe mundësinë e një pushtimi të Ukrainës nga Rusia.

Ekonomia i shërben ideologjisë së Pekinit, dhe Kina që mbetet ende në një farë mase “fabrika e botës”, mund ta ndiejë se Perëndimi nuk do të guxonte të rezistonte, pasi ai ka nevojë për Kinën më shumë sesa Kina për Perëndimin.

Brenda 25 vjetësh, 4 vjetësh ose 18 muajsh

Arsyeja duket se është vërtetuar, dhe kjo ka bërë që Admirali Michael Studeman, kreu i Inteligjencës Detare të SHBA-së, të deklarojë se “pyetja nuk është më nëse Pekini do të sulmojë, por kur do të ndodhë kjo”. Mbetet të shihet se kur Kina do të marrë vendimin e saj, në bazë të fuqisë ushtarake dhe ekonomike dhe vlerësimeve mbi vendosmërinë e Perëndimit dhe aleatëve.

Është e qartë se Pekini dëshiron ta ribashkojë ishullin rebel përpara se të festojë 100-vjetorin e Republikës Popullore në vitin 2049, apo edhe deri në vitin 2027, kur do të kremtohet 100-vjetori i krijimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze.

Por ekziston ndërkohë Një afat edhe më i afërt në kohë, edhe pse më pak i mundshëm:nëse Joe Biden nuk rizgjidhet president në nëntor 2024 dhe bëhet një president “i çalë”, pa legjitimitetin e duhur politik për të autorizuar një luftë kundër një fuqie bërthamore. Për sa i përket pyetjes se si do të ndodhë kjo, zgjedhja reduktohet logjikisht në dy strategji: bllokadë ose luftë (me disa variacione të ndërmjetme).

Bllokada:E vështirë, dhe jo aq fitimprurëse

Në pamje të parë opsioni i bllokadës duket i mundshëm, madje edhe i lehtë për t’u realizuar. Tajvani, që i importon 2/3 e produkteve ushqimore dhe gati të gjithë energjinë që konsumon, ka vetëm disa javë rezerva të produkteve më thelbësore.

Por bllokada do të ishte një akt lufte, i cili do të shoqërohej me sanksione serioze ekonomike nga Perëndimi dhe aleatët e tij, të cilët aktualisht furnizojnë 42 për qind të importeve kineze dhe thithin 39 për qind të eksporteve të vendit.

Për më tepër, përgjegjësia e atij që “lëshon të shtënën e parë” do të binte mbi Pekinin, që do gjendej përballë luftanijeve amerikane, të cilat do të përpiqeshin të rivendosnin lirinë e lëvizjes në Ngushticën e Tajvanit, përmes së cilës kalojnë gjysma e anijeve me kontejnerë në botë. Historia na tregon se mbajtja në fuqi e një bllokade të tillë është e vështirë, dhe mund të çojë shumë shpejt në një përshkallëzim të situatës.

Një zbarkim i paprecedentë

Pra nëse do të nisni një lojë nervash me Marinën e SHBA-së, mund të shpallni edhe luftën ndaj saj. Opsioni i parë do të ishte një breshëri raketash, duke shpresuar se vendi i shkatërruar do të dorëzohet. Një opsion i dytë është një sulm i kombinuar ajror, detar dhe amfib, që synon të zbarkojë 1.3 milionë ushtarë në ishullin e fortifikuar, i cili ka vetëm rreth 10 plazhe, që të gjitha nën zjarrin e fuqishëm të artilerisë, të përforcuar me shpejtësi nga aleatët perëndimorë.

Zbarkimi i aleatëve në Normandi në vitin 1944, megjithëse ishte një nga më ambiciozët e të gjitha kohërave, do të mbetej në hije po të krahasohej me atë kinez. Nëse Pekini ka rreth 500 luftanije, ai ka vetëm 7 anije sulmi amfibe të klasit 071. Po ashtu ai mund të komandojë qindra anije lundrimi.

Simulimet kompjuterike sugjerojnë se Pekini mund ta pushtojë Tajvanin brenda disa javësh. Por do të dështonte menjëherë në rastin e një ndërhyrjeje të fortë ushtarake nga ana e SHBA-së. Gjithsesi kjo do të ndodhte me rrezikun e humbjeve të mëdha nga të dyja palët, sidomos nëse raketat e Pekinit DF21, që asgjësojnë aeroplanmbajtëset, me një rreze prej 3.000 km, do të arrijnë të përmbushin pritshmëritë e tyre.

Nga ana tjetër, askush nuk e di se si do të përfshihet ushtria kineze në një luftë të vërtetë. Gjenerata e fundit e ushtarëve që shërbeu nën një luftë, gjatë asaj kino-vietnameze të vitit 1979, ka dalë në pension shumë kohë më parë.

Megjithatë, një pushtim nuk është i sigurt. Pekini mund të dorëzohet, përballë ndikimit ekonomik të zhvillimit të 1.45 miliardë qytetarëve kinezë, dakordësia e të cilëve me qeverinë nuk është diçka e sigurt. Dhe humbja e mundshme e Putinit në Ukrainë, e cila ka të ngjarë të sjellë eliminimin e tij nga politika, mund të detyrojë Xi Jinping të rishqyrtojë seriozisht opsionet e tij.


Shtuar 10.08.2023 11:39

Tags: