Kim bën deklaratën e fortë: Ka zyrtarë që s’i zë gjumi, kanë frikë se do shpallen ‘non-grata’ e do shkojnë në burg

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e sotme, teksa tha se “disa zyrtarë të lartë nuk mund të flenë nga frika se do të shpallen non grata apo se do të shkojnë në burg.

Ajo theksoi se reforma në drejtësi nuk mund të jetë e lehtë dhe e përsosur, por duhet ndërtuar forca fillimisht.

E ftuar në Report Tv, Kim tha se SPAK po jep rezultate, teksa i bëri thirrje drejtësisë që të bëjë punën e saj.

Kim: Mendoj se ka rëndësi që të mbajmë në mend dhe të jemi realistë dhe të kuptojmë që diçka kaq radikale sa reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur. Është si të thuash që një vrapues duhet ta nisë nga maratona. Nuk fillohet aty. Po e bëre, do dështosh. Duhet të ndërtosh forcën. Dhe ajo që shohim në statistika, në rezultatet reale që shihni nga SPAK dhe vende të tjera, është se ata që përfshihen në korrupsion dhe krim të organizuar, ata që vjedhin nga qeveria, nga populli, nga Shtetet e Bashkuara, po fillojnë të përballen me drejtësinë. Po shohim ish-ministra, njerëz të fuqishëm, anëtarë të parlamentit, oficerë policie, politikanë, drejtues të krimit të organizuar, disa njerëz të biznesit, të dalin në gjyq dhe të shkojnë në burg. Dhe kur thua se asgjë s’ka ndodhur….

Puna dhe detyra jonë është të themi se duhet të ketë sundim të ligjit në këtë vend; që është koha që pandëshkueshmëria të marrë fund. Dhe besojmë se reforma në drejtësi po fillon të japë rezultate. Edhe një herë, shikoni faktet. Mos u shpërqendroni nga propaganda nga të gjitha anët. Ka disa njerëz që duan që ju të beson ise reforma në drejtësi nuk ka për të ndodhur. Ndaj injorojnë faktet dhe thonë se asgjë s’ka ndodhur kështu që është okay të thuash se s’do ndodhë gjë.

Por faktet tregojnë një histori tjetër. Tregojnë historinë se pandëshkueshmërisë po i vjen fundi. Tregojnë historinë e zyrtarëve të lartë të shqetësuar. Kam dëgjuar plot histori për njerëz që nuk i zë gjumi, duke vrarë mendjen nëse e kanë radhën ata për shpalljen tjetër non-grata apo për ndjekje penale. Dhe nëse je i shqetësuar, me shumë gjasë ke arsye të forta për t’u shqetësuar. Dhe do t’iu thoja përsëri të gjithë prokurorëve, gjyqtarëve, hetuesve, bëni punën tuaj.

 


Shtuar 19.01.2023 21:55