Kështjella historike e Hillsborough-ut do të mirëpresë takimin ndërkombëtar të nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor

Qeveria britanike, po vendos pajtimin e qëndrueshëm mes fqinjëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor në qendër të diskutimeve, ndërsa rajoni përballet me kërcënime në rritje nga paqëndrueshmëria, korrupsioni dhe bandat kriminale, që vendos në rrezik sigurinë dhe rritjen e MB-së.

Kështjella historike e Hillsborough-ut në Irlandën e Veriut, do të shërbejë si skenë për një takim të ministrave të jashtëm mbi Ballkanin Perëndimor më vonë këtë vit.

Qeveria britanike po vendos pajtimin e qëndrueshëm mes fqinjëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor në qendër të diskutimeve, ndërsa rajoni përballet me kërcënime në rritje nga paqëndrueshmëria, korrupsioni dhe bandat kriminale, që vendos në rrezik sigurinë dhe rritjen e MB-së.

Ministri i Jashtëm Britanik, David Lammy, do të mirëpresë mbi 15 ministra evropianë në Belfast më 8 tetor, për të udhëhequr bisedimet për të promovuar paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, për të forcuar sigurinë kolektive të Evropës dhe për të luftuar krimin e organizuar dhe bandat e trafikimit të njerëzve.

Vendndodhja në County Down, ka qenë pritëse e momenteve jetike në politikën e MB-së dhe të Irlandës, duke përfshirë negociatat intensive që shpëtuan bisedimet e paqes nga dështimi, duke zgjidhur dekada ndarjeje mes komuniteteve të Irlandës së Veriut dhe duke hapur rrugën për Marrëveshjen e të Premtes së Mirë së Belfastit (Belfast Good Friday Agreement), të nënshkruar në 1998 nën qeverinë e fundit të Partisë së Punës (Labour Party).

“Kështjella e Hillsborough-ut është një kujtues prekës i fuqisë së diplomacisë për të transformuar konfliktin dhe ndarjen në paqe dhe bashkëpunim afatgjatë. Duke shfrytëzuar përvojën e Irlandës së Veriut, shpresojmë të mbështesim partnerët në Ballkanin Perëndimor për të kapërcyer sfidat e së kaluarës nëpërmjet pajtimit kuptimplotë dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt dhe të begatshme. Si pjesë e Planit për Ndryshim, kjo qeveri është e angazhuar për forcimin e partneriteteve me Evropën, duke siguruar baza të forta stabiliteti ekonomik, kufij të sigurt dhe siguri kombëtare“, thotë Ministri i Jashtëm britanik David Lammy.

Përvoja e Irlandës së Veriut për sigurim të paqes nëpërmjet Marrëveshjes të së Premtes së Mirë pas dekadash konflikti ka dhënë një shembull të fuqishëm pajtimi për botën. Kjo ofron një trashëgimi shprese si dhe përvojë praktike që besoj se do të jetë e paçmueshme për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor ndërsa udhëtojnë në një rrugë të ngjashme drejt paqes dhe prosperitetit. Si forum kohëgjatë për ndërtimin e paqes dhe politikës, është e përshtatshme që Kështjella e Hillsborough-ut është zgjedhur për të pritur këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare”, thotë Sekretarja e Shtetit për Irlandën e Veriut Hilary Benn.

“Për shekuj, Kështjella e Hillsborough-ut ka qenë një vend ku njerëzit vijnë së bashku për të formësuar një të ardhme të përbashkët. Kështjella qëndron si një dëshmi e gjallë e fuqisë së dialogut dhe pajtimit në një vend ku paqja është fituar me mundim. Shpresojmë se do të sigurojë një ambient frymëzues për takimin dhe presim me padurim vizitën e ministrave këtë vjeshtë”, thotë Laura McCorry, Drejtoresha e Kështjellës së Hillsborough-ut .

Mbretëria e Bashkuar, ka një rol të gjatë dhe një trashëgimi të rëndësishme në promovimin e sigurisë në rajon, përfshirë në Kosovë, ku ka pasur prezencë të vazhdueshme nëpërmjet misionit KFOR të NATO-s që prej 1999-ës.

Që prej zgjedhjeve vitin e kaluar, MB ka intensifikuar angazhimin me vendet e Ballkanit Perëndimor për të zbatuar Planin për Ndryshim, duke përfshirë shkatërrimin e rrjeteve të kontrabandës së njerëzve që shfrytëzojnë rajonin si një derë hyrjeje drejt Evropës.

Vetëm në 2024, mbi 55,000 persona janë trafikuar në vende të tjera përgjatë rrugëve nëpër Ballkanin Perëndimor.

Qeveria britanike po ndërmerr hapa praktikë për të bërë ndryshim, duke përfshirë një marrëveshje të përbashkët mbi krimin e organizuar të emigracionit të nënshkruar me Serbinë gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm britanik në rajon në prill, kur ai vizitoi edhe Kosovën.

Në maj, ai vizitoi Bosnjë-Hercegovinën mes paqëndrueshmërisë politike në vend, pjesë e aktivitetit dhe angazhimit të shtuar të MB-së në Ballkanin Perëndimor.

Këtë vit, Kryeministri britanik ka zgjeruar dhe Grupin e Përbashkët të Punës për Migracion me Shqipërinë dhe Kosovën, për të përfshirë Maqedoninë e Veriut.

Grupi i punës bashkon specialistë nga vendet e përfshira për të projektuar dhe zbatuar operacione për të zbuluar, parandaluar dhe menaxhuar migracionin e paligjshëm.

Muajin e kaluar, Qeveria britanike lançoi regjimin e parë në botë të sanksioneve që synon migracionin e parregullt dhe kriminelët trafikues – duke përfshirë ata nga Ballkani Perëndimor – duke goditur drejtpërdrejt rrjetet e neveritshme që përfitojnë nga mjerimi njerëzor.

Takimi i Ministrit të Jashtëm britanik është pjesë e kryesimit të MB-së në Procesin e Berlinit 2025: forumi kryesor ndërkombëtar i nisur nga Gjermania që bashkon të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor bashkë me kombet partnere evropiane, për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor.


Shtuar 8.08.2025 13:08