Këshilltarët e opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, e kanë gjetur të mbyllur derën e Bashkisë, teksa po shkonin të merrnin pjesë në mbledhjen e Këshillit.
Dorian Teliti, tha se vetëm gjysëm ore nga nisja e mbledhjes, i kanë njoftuar se mbledhja e Këshillit Bashkiak do zhvillohet online. Sipas emailit drejtuar anetareve te Keshillit, vendimi u mor me qëllim garantimin e sigurisë.
“Të nderuar anëtarë të Këshillit Bashkiak! Kryesia e Këshillit Bashkiak zhvilloi online mbledhjen sot, datë 30 prill 2024, ora 15:00, me shumicën e anëtarëve prezentë. Në zbatim të Rregullores për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, neni 24, pika 2, “Kryesia, është organ konsultativ që kujdeset për mbarëvajtjen e punës së këshillit, gjatë dhe midis dy mbledhjeve të tij” me dakordësinë e shumicës së anëtarëve të Kryesisë së Këshillit prezent në mbledhje, me qëllim garantimin e sigurisë së këshilltarëve, u vendos që mbledhja e Këshillit Bashkiak njoftuar për datën 30 prill, ora 16:30, të zhvillohet online. Sa më sipër, lutemi, gjeni më poshtë linkun për pjesëmarrjen”, thuhet ne emailin drejtuar anetareve.
Megjithatë këshilltarët e opozitës nuk janë shprehur kundër mbledhjes online, por kanë kërkuar të futen në zyrat e tyre dhe ta ndjekin mbledhjen nga brenda bashkisë. Ai tha se dera është e mbyllur dhe nuk po lejohen të futen brenda. Sipas tyre, këshilltarët e opozitës nuk po lejohen të marrin pjesë në mbledhje pasi janë kunder vendimeve që do të merren në mbledhje.