Këshillimi Kombëtar, Rama: Nuk është histori bravash, ndoshta duhet të bëjmë një hap për shkëputjen e kërthizës me Shkupin

Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin “Open” ka folur për nismën Këshillimi Kombëtar ku do të pyeten qytetarët shqiptarë në lidhje me 12 çështje të rëndësishme për vendin.

Rama është shprehur me ironi se kjo nismë nuk është histori bravash dhe se ka pasur debat të brendshëm për këto çështje.

“Janë çështje që janë dilema vendimmarrje për ne. Kemi një debat të brendshëm për këto çështje. Janë çështje që janë dilema që lidhen me një pozicion me partnerë të tjerë, edhe ndërkombëtar. Besoj se është një ushtrim i shëndetshëm që na lidh me njerëzit, me një vendimmarrje konkrete. Politika në fund të ditës është mundësia që i jepet njerëzve që së bashku të zgjidhim gjëra. Nuk është një histori bravash që a u thye brava apo u thye bishti i varesë!

Nuk është një referendum i kamufluar por një këshillim shoqëror, sepse në tryezën e çdo shtëpie vendosen një sërë dilemash në vendimmarrje për ecurinë e një sërë gjërash që janë të lidhura me njerëzit. Ka dilema të natyrës morale që lidhen me kategori sociale, apo në rastin e dilemave strategjike, bllokimi që i ndodh Shqipërisë për shkak të Maqedonisë. Ne nuk kemi bërë asnjë hap për shkëputjen e kërthizës me Maqedoninë. Ndoshta duhet ta bëjmë këtë hap! 99% e debatit është çfarë tha ky e çfarë tha ai, ndërkohë që jeta e njerëzve është larg atyre gjërave. Kur vjen puna te qeveria 99% është jeta e njerëzve”, tha Rama./albeu.com

Shtuar 27.01.2022 21:37