Këshilli Kombëtar i PD anuloi zgjedhjet e 29 korrikut, grupi i Bashës publikon vendet e qendrave ku do të votohet nesër

Grupimi i Lulzim Bashës ka njoftuar sot orarin dhe vendet se ku do të votohet nesër për kryetarin e ri të Partisë Demokratike.

Ndonëse Këshilli Kombëtar i PD-së i thirrur nga Gazment Bardhi anuloi dje zgjedhjet e 29 Korrikut, Basha nuk tërhiqet nga zgjedhjet.

Grupimi i Bashës ka publikuar listën me qendrat e votimit, ndërsa thotë se qendrat do të jenë të hapura nesër nga ora 08:00 deri në 19:00.

“Të nderuar anëtarë dhe drejtues të Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë! Nesër më datë 29.07.2023, zhvillohet procesi i zgjedhjeve për Kryetar të PDSH! Ftojmë të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike të marrin pjesë në këtë proces mjaft të rëndësishëm për ringritjen e PD. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 19:00. Ju vendosni të ardhmen e PD dhe të ardhmen e Shqipërisë.”- thuhet në njoftim.

Në mbledhjen e djeshme,  Këshilli vendosi anulimin e zgjedhjeve të 29 korrikut për kreun e ri të PD, duke e konsideruar procesin antistatutor dhe farsë.

Po ashtu, pas relatimit të Sekretarit të Përgjithshëm, Këshilli Kombëtar  konstatoi dhe pranoi dorëheqjen e datës 21 mars 2022 të Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, dhe dorëheqjen e datë 17 Maj 2023 të Nënkryetari të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj. Ndërkohë, u shtyu për në një mbledhje tjetër vlerësimin mbi dorëheqjet e Nënkryetarëve Agron Gjekmarkaj dhe Jorida Tabaku, të cilët i qëndrojnë dorëheqjes së tyre, edhe pse dorëheqjet e tyre nga ana e Këshillit nuk u konsideruan si të parevokueshme.

LISTAT E QV