Erion Veliaj u shkarkua sot nga detyra e Kryetarit të Bashkisë Tiranë me 51 vota të Këshillit Bashkiak, ndërsa tashmë i pari i Tiranës është në “dorën” e Këshillit të Ministrave. Mbledhja e Këshillit të Ministrave ku pritet të vuloset përfundimisht fati i Erion Veliajt mësohet se do të mbahet ditën e enjte.
Erion Veliaj u shkarkua sot nga posti i Kryetarit të Bashkisë me 51 votat e anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak munguan Aldo Merkoci, Gazment Paja, Joleza Koka dhe Anuela Ristani.
Këshilli Bashkiak mblodhi 3 kërkesat për shkarkimin e Erion Veliajt, atë të Partisë Socialiste, të Partisë Demokratike dhe të këshilltarit Endri Shabani, duke i votuar si një e vetme.
Kujtojmë se ishte Kryeministri Edi Rama i cili i kërkoi Këshillit Bashkiak të Tiranës nga Asambleja e Partisë Socialiste, që të nisë procedurat e shkarkimit të Erion Veliajt nga detyra.
Erion Veliaj ndodhet në qeli prej 10 shkurtit, ndërsa Këshilli Bashkiak votoi sot për shkarkimin e tij për mosparaqitje në detyrë prej më shumë se tre muajsh.