Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka bërë thirrje Bashkimit Europian të hapë negociatat me Shqipërinë dhe të liberalizojë vizat me Kosovën.
Këshilli e mirëpret samitin BE-Ballkani Perëndimor dhe përshëndet deklaratën përmbyllëse të tij. “KASH” u bën thirrje qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor për një qasje më aktive në zbatimin e reformave të besueshme.
“Mbështetja e qartë e BE -së për perspektivën evropiane të rajonit të BP -së, si një interes dhe zgjedhje e përbashkët strategjike, mbetet një shtyllë solide e marrëdhënieve kontraktuale të krijuara që nga Samiti i Götteborgut 2001.
Ndërsa KASH inkurajon angazhimin e mëtejshëm të ndërsjellë për zgjerimin e BE -së, kujton se komunikimi dhe mbajtja e premtimeve janë kyç për këtë proces.
BE është bërë qartësisht partneri më i afërt i rajonit, investitori dhe donatori kryesor, në përputhje me qasjen natyrale dhe strategjike të të ardhmes së Kontinentit.
KASH përshëndet përforcimin e mëtejshëm të kësaj qasjeje me Planin ambicioz të Investimeve Ekonomike dhe Agjendën e re të Inovacionit për Ballkanin Perëndimor, duke trajtuar sfidat aktuale të vendeve dhe popujve tanë, siç janë depresioni ekonomik dhe migrimi.
KASH u bën thirrje qeverive të vendeve të BP-së për një qasje më aktive në zbatimin e reformave të besueshme, veçanërisht në funksion të përmbushjes së angazhimit të tyre që premton për vlerat dhe parimet evropiane.
Duke përshëndetur vendimin për organizimin e Samiteve të rregullta BE-Ballkanin Perëndimor, KASH u bën thirrje shteteve anëtare të BE-së për hapjen e shpejtë të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe heqjen regjimit të vizave me Kosovën, si kundër ka ndodhur me të gjitha vendet e tjera të rajonit” mbyllet deklarata./albeu.com