Këshilli bashkiak i Tiranës miraton Buxhetin e vitit 2026 pa praninë e Kryebashkiakut Veliaj

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi Buxhetin për vitin 2026, me vlerë rreth 400 milionë euro, në një mbledhje të zhvilluar pa praninë e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Më herët, Këshilli kishte kërkuar pjesëmarrjen e Veliajt në diskutimet për buxhetin, por SPAK refuzoi kërkesën, ndërsa vetë kryebashkiaku kishte paralajmëruar me anë të një letre se miratimi i buxhetit pa praninë e tij nuk do të ishte legjitim.

Buxheti i miratuar parashikon 1500 kuota kredie të butë për çiftet e reja, abone falas për studentët dhe pensionistët, si dhe 1400 bonuse qiraje për familjet e prekura nga tërmeti dhe për përfituesit e ndihmës ekonomike. Po ashtu, janë parashikuar 9.2 milionë euro për rreth 12 mijë nxënës, të cilët për herë të parë do të përfitojnë ushqim në shkolla.

Gjatë seancës nuk u hodhën në votim 29 amendimet e propozuara nga opozita, me një vlerë totale prej rreth 90 milionë eurosh.


Shtuar 18.12.2025 17:24