KESH: Importet e energjisë për nëntorin arrijnë 31 milionë euro

Sigurimi i furnizimit me energji të vendit ka detyruar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) që të zhvillojë për nëntorin katër procedura blerjeje në treg, që kanë rezultuar me një total prej 31 milionë eurosh.

Çmimi mesatar me të cilin është siguruar kjo energji luhatet mes 181 dhe 228 euro/MWh një çmim ky dukshëm më i leverdishëm sesa çmimet me të cilat u përballën tregjet gjatë verës.

Me procedurën e fundit KESH ka të mbuluar furnizimin deri në datën 20 nëntor ndërkohë që tani me kushtet hidrike situata ka ndryshuar.

Blerjet në tregun e lirë me heret janë kombinuar me prodhimin nga kaskada që sigurisht ka qenë në nivele të kontrolluara pasi rezerva energjetike mbetej e ulët pa nisur reshjet.

Në total nga fillimi i vitit e deri më tani KESH ka shpenzuar për blerje energjie rreth 430 milionë euro ku muaji me shpenzimet më të larta mbetet gushti kur çmimet në bursa në fasha orare të caktuara piku kulmuan me 1040 euro/MWh.

Gjithsesi me nisjen e reshjeve qeveria synon që kaskada të mbajë një peshë më të madhe duke lehtësuar kështu vështirësinë financiare për importe por edhe në një tentativë për të mos aplikuar fashën 800 kwh që është vendosur për familjarët dhe që mbetet në fuqi për muajin dhjetor. Në tetor dhe nëntor qeveria vendosi që pavarësisht situatës peshën ta mbante e vetme duke argumentuar se kjo erdhi për shkak të kursimit si dhe çmimeve më të ulëta në tregje.

Pavarësisht kësaj situate energjetike në vend mbetet e paqartë ashtu si kudo në Europë dhe në botë. Plani i qeverisë për vitin e ardhshëm është që të shpenzojë mbi 116 milionë euro për importet energjie ndërkohe që 165 milionë euro parashikohet që të jetë kosto nga anijet e vendosura në Vlorë të njohur si gjenerues termikë.

Në bursa çmimet kanë pësuar aktualisht rënie nga nivelet e çmendura të dy muajve më parë dhe po luhaten mes 150-250 euro/MWh. Sigurisht në ditë të caktuara dhe fasha orare piku këto çmime kanë tendencën të jenë më të larta por aktualisht vihet re një stabilizim. Sipas ekspertëve kjo vjen si efekt i një sasie më të lartë energjie të disponueshme për shkak të situatës me gazin, por edhe një tendence kursimi nga qytetarët që në vende të ndryshme po përballen me fatura të kripura për shkak të çmimeve të rritura.

Në 27 kryeqytetet e Bashkimit Europian faturat janë rritur mesatarisht me 69 për qind për energjinë dhe 111 për qind për gazin. Qetësimi aktual në bursa nuk shihet si garanci për të ardhmen dhe kriza vlerësohet se mund të japë goditje më të forta gjatë 2023-it kur ecuria e luftës Rusi-Ukrainë mbetet e paqartë dhe ngërçet e krijuara ne tregje do te japin efektin e tyre të plotë. /Monitor


Shtuar 21.11.2022 13:38