Kërkoi shfuqizimin e masave të sigurisë, Gjykata Kushtetuese merr vendimin për ish-ministrin Ilir Beqaj

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar këtë të mërkurë, kërkesën e ish-ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj. Raportohet se Beqaj kishte kërkuar shfuqizimin e masës arrest me burg, në të gjitha shkallët.

Por Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e tij dhe ish-ministri do të qëndrojë në qeli.

Beqaj kishte kërkuar shfuqizimin si i papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr.65, datë 03.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; vendimit nr.73, datë 06.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; vendimit nr.32 (87-2024-228), datë 07.08.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; vendimit nr.00-2025-20 (1), datë 14.01.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë; Kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ish-ministri Ilir Beqaj u arrestua më 4 korrik, pasi prej disa kohësh ishte në hetim pasi akuzohet koncesionin e sterilizimit dhe shpërdorimin e fondeve gjatë kohës që drejton te Agjencinë për Koordinimin e ndihmave Europiane.

Beqaj u burgos me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për abuzimin me fondet e Bashkimit Europian, në kohën kur drejtonte Agjencinë për Koordinimin e ndihmave Europiane.

Ilir Beqaj u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit. Ndaj tij u caktua masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur” para një hetuesi apo oficeri të Policisë Gjyqësore një herë në javë, çdo të premte në orën 15.30. Gjithashtu, Ilir Beqajt iu komunikua dhe masa e dytë “Ndalim i daljes jashtë vendit”.

Në Gusht të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme arrestoi ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim, lidhur me koncensionin e sterilizimit afro 100 milionë euro 8 vjet më parë.


Shtuar 28.01.2026 22:31