Kontrolli i ushtruar një ditë më parë në vilën e Ervis Martinaj, ka zbuluar detaje të reja rreth pronësisë së kësaj shtëpie. RENEA dhe FNSH, hynë brenda në vilën luksoze me shpresën e kapjes apo qoftë dhe gjetjes së gjurmëve të biznesmenit të shpallur në kërkim, Ervis Martinaj.
Por policia dhe oficerët e BKH-së, nuk janë përballur me askënd prej familjarëve të Martinaj, por me një person tjetër që pretendonte pronësinë e shtëpisë, ku kishte hyrë për kontroll policia.
Urdhri i nxjerr nga prokurorët e SPAK ishte për tu kontrolluar banesën ku jetonte Ervis Martinaj.
Ndërsa shtëpia ishte me certifikatë pronësie nga një person tjetër, F. Vuthaj, sipas Ora News.
Policia dhe BKH-ja janë ndeshur me këtë person, i cili rezulton të jetë pronari i kompanisë së ndërtimit “Vuthaj Sh.p.k”, i cili u ka treguar hetuesve se vila ishte blerë prej tij në vitin 2017 dhe nga kjo periudhë e në vijim ja ka dhënë me qera përmes një kontrate qeraje, Ervis Martinaj.
Pavarësisht këtyre pretendimeve policia dhe SPAK, kishin mbledhur të dhëna se në banesë, ka jetuar për një kohë të gjatë njeriu më i kërkuar për momentin, Ervis Martinaj.
Ndërsa emri i F. Vuthaj, është vendosur në çertifikatën e pasurisë të kësaj prone, për të maskuar pasuritë që disponon “mbreti” i lojërave të fatit.
Policia, ka hyrë në brendësi të banesës duke kontrolluar të gjitha ambjentet e saj dhe oborrin, por nuk ka gjetur asgjë të paligjshme.
Mes pak sendeve të sekuestruara, janë disa dokumente të pronësisë së vilës luksoze dhe një pasaportë që është gjendur në emër të shtetasit Admir Koca, por me fotografi të biznesmenit Ervis Martinaj.
Pasaporta ishte e kombësisë kosovare, dhe është i njëjti dokument që policia dhe prokuroria sekuestruan në banesën e tij, pas ndodhjes së masakrës në ish-bllok në datën 4 tetor 2018.
Pasaporta do i nënshtrohet ekspertizës mbi origjinalitetin e saj.
Njëherësh SPAK, do hetojë dhe vërtetësinë e dokumentacionit të pronësisë së vilës, që me dokumente rezulton të jetë në emër të një tjetër biznesmeni siç është F. Vuthaj.
Ky është kontrolli i dytë i banesës së Ervis Martinaj, pasi në mëngjesin e 26 dhjetorit 2022, policia dhe SPAK ushtruan një kontroll blic në fshatin Fushë-Kuqe, duke arritur të gjejnë dy automatikë, uniforma policie dhe mijëra fishekë automatiku./Albeu.com/