Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur në lidhje me kërkesën që Kosova i ka bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e raketave anti-tank Javelin, në vlerë prej 75 milionë dollarësh.
Ajo tha se si Komandante e Përgjithshme e FSK-së i përgëzon të gjitha përpjekjet dhe energjitë që institucionet mbrojtëse të vendit kanë bërë ndër vite për të siguruar që të përmbushen kriteret e përshtatshmërisë së Programit të Shitjes së Jashtme Ushtarake të Departamentit të Shtetit.
Osmani tha gjithashtu se ka besim të plotë që Kongresi do ta mbështesë këtë shitje ndaj Kosovës, të cilin ajo e quajti më “pro-amerikan në tokë, si një akt që do ta rrisë sigurinë në Kosovë, rajon dhe kontinentin evropian”.
“Në veçanti, dëshiroj të falënderoj Sekretarin e Shtetit Blinken, me të cilin ne u angazhuam në diskutime në lidhje me Programin e Shitjes së Jashtme Ushtarake në korrik 2022, Departamentin e Mbrojtjes së ShBA-së dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tani ka marrë njoftim zyrtar për qëllimin e Kosovës për të blerë sistemet e armëve nëpërmjet programit”, tha Osmani.
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=914822696668937&set=a.274428680708345&type=3&ref=embed_post