Kërkesa për ekstradim? Ahmetaj: Shpresoj që SPAK mos të jetë i përfshirë në këtë tymnajë, duan eleminimin tim fizik

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë dhe SPAK, duke e cilësuar lajmin për një kërkesë të re ekstradimi si një “teatër” dhe “tymnajë” për të mbuluar skandalet. I ftuar në emisionin “Çim Peka Live” në Syri Tv, Ahmetaj pretendoi se ka pasur një plan për eliminimin e tij fizik dhe se struktura brenda Prokurorisë së Posaçme janë të përfshira në këtë skenar.

Duke iu referuar lajmeve për një kërkesë të re ekstradimi nga autoritetet shqiptare drejt Zvicrës, Ahmetaj e quajti atë një “lajm të rremë”. Ai zbuloi se kërkesa e vetme zyrtare për ekstradim daton më 18 gusht 2023. Ahmetaj deklaroi se kjo lëvizje është një manovër e qeverisë për të larguar vëmendjen nga skandalet që po dalin në dritë në Tiranë, ku janë të përfshirë anëtarë të lartë të kabinetit.

“Zoti Peka, sot ishte le të themi, teatri i radhës, që bën struktura që unë e kam përmendur dikur, por që është që drejtohet nga qeveria e Tymnajës për të mbuluar të gjitha ato skandale që po dalin një nga një në Tiranë dhe që përfshin persona anëtarë të qeverisë së lartë. Dhe ajo që më çudit është dhe përfshirja e drejtpërdrejtë edhe e prokurorit tjetër, sepse përsa i përket, më parë unë e kam sqaruar përfshirjen e SPAK-ut deri në arrestimin, tentativën për të më arrestuar me urgjencë, që e kam thënë disa herë, dyshoj, po tashmë nuk dyshoj më, që janë të përfshira tek eleminimi im fizik. Dhe sot e vërteta, e vërteta e të gjithë asaj pyetje që unë kam ngritur, është shumë e qartë për këdo.

Shumëkush më thotë, po të kishe qëndruar këtu, sot nuk do ishe gjallë. Dhe e kam thënë disa herë që unë nuk është se mbahem për ndonjë trim, por ëh, për familjen time nuk kam asnjë alternativë tjetër përveç se të jemi të drejtë, sqarues dhe patjetër trim. Sot doli lajmi që me demek ishte bërë një kërkesë e re për ekstradimin tim. Cili ishte një lajm i rremë. I dalë, shpresoj jo? I dalë nga të njëjtat dyer. Shpresoj që SPAK-u të mos jetë i përfshirë në këtë tymnajë. Për të sqaruar publikun, kërkesa për ekstradim është bërë në datën 18 gusht të vitit 2023. Kohë rekord,” tha Ahmetaj.


Shtuar 17.11.2025 21:20