Kërcënoi se do të vriste me armë kreun e IMT Tiranë, arrestohet 61-vjeçari Leonard Nikolli

Efektivë të komisariatit nr.3 në Tiranë kanë shoqëruar 61- vjeçarin Leonard Nikolli, pasi mesditën e sotme ka shkuar në zyrat e IMT Tiranë, duke kërcënuar me jetë drejtuesin e institucionit, Klajdi Meçi.

Ky i fundit ka bërë edhe kallëzimin në polici duke pretenduar se Nikolli e ka kërcënuar se do ta vriste dhe se kishte armë.

Burime bëjnë me dije se Nikolli ka thënë sapo ka hyrë në institucion: “jam i armatosur, ku është drejtori se do e vras”?

Në vijim është shprehur se do ia bënte njëlloj si gjyqtarit Astrit Kalaja.

Përpara hetuesve ai është shprehur se ka pasur probleme me pronat dhe për këtë bënte përgjegjës IMT Tiranë.

Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa po vijojnë procedurat për arrestimin e 61-vjeçarit.