Kërcënohet një tjetër anëtar i fisit Maja në Krujë, kush i dërgoi SMS?

Lulzim Maja, 43 vjeç, kushëri i dy personave që u dhunuan nga fisi Rraja ka bërë kallëzim në polici se ka marrë mesazhe me përmbajtje kërcënuese nga një llogari e panjohur.

Mësohet se 43-vjeçari është vëllai i një prej të dhunarve nga Rrajat, Jashar Majës.

“Me datë 10.07.2023, është paraqitur pranë Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë shtetasi L. M., 43 vjeç, banues në Borizanë, Krujë, i cili ka kallëzuar se në llogarinë e profilit të tij në Facebook ka marrë disa mesazhe me përmbajtje kërcënuese, nga një llogari e panjohur”, bën me dije policia.

Pas kallëzimit të marrë nga 43-vjeçari, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, për veprime të mëtejshme procedurale.

Bilbil dhe Jashar Maja janë dhunuar barbarisht më 6 korrik në një lokal në aksin rrugor “Fushë Krujë-Thumanë. Ata ishin duke konsumuar kafe, kur nga tre makina që shkuan atje me shpejtësi dolën anëtarët e fisit të ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.

Me shkelma, grushte, shkopinj bejsbolli dhe qyta armësh ata i rrahën barbarisht për disa minuta kushërinjtë Maja.

Shkak u bë një ankesë e Bilbil dhe Jashar Majës në Policinë e Krujës, për shpërthimet me dinamit në guroren e vëllait të deputetit, nga të cilat u ishin dëmtuar shtëpitë.

Pas kësaj ngjarjeje, Rrahman Rraja dha dorëheqejn si deputet i PS-së, ndërsa Edi Rama shkarkoi ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi. Vendin e tij e zuri Taulant Balla, i cili u dekretua sot nga Presidenti Begaj./Albeu.com.

/Albeu.com/ 


Shtuar 10.07.2023 21:12