Një person është shpallur në kërkim nga policia e shtetit pasi ka kërcënuar një grua që të mos dëshmojë në procesin gjyqësore. Policia sqaron se 56-vjeçari me inicialet V.Ll, ka kërcënuar një grua që të mos marrë pjesë në seancën gjyqësore që po zhvillohen për vrasjen e burrit të saj, ngjarje e ndodhur në vitin 1997, në Tepelenë.
Personi i shpallur në kërkim akuzohet për veprën penale “Kanosja për të mos kallëzuar”.
NJOFTIMI I POLICISË:
Kanosi një shtetase, për të mos kallëzuar në seancat gjyqësore, identifikohet dhe shpallet në kërkim 56-vjeçari. Në datën 08.06.2022, në Komisariatin e Policisë Tepelenë ka bërë kallëzim shtetasja M. M., se në datën 02.06.2022, në Tepelenë, një shtetas i paidentifikuar e ka kanosur për të mos marrë pjesë në seancat gjyqësore që zhvillohen për vrasjen e bashkëshortit të saj, ngjarje e vitit 1997. Menjëherë pas marrjes së kallëzimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, pas një pune të mirorganizuar hetimore, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të shtetasit V. Ll., 56 vjeç, banues në Fier. Vijon puna intensive për kapjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Kanosja për të mos kallëzuar”