Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar gjatë një takimi të mërkurën me komandantin e ri të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë se vendi i saj po përballet me “kërcënime me dronë” nga Serbia.
Në takim me gjeneralmajorin turk Ozkan Ulutash, i cili u riemërua komandant i KFOR-it javën e kaluar, Osmani bisedoi për zhvillimet në fushën e sigurisë, tha Presidenca e Kosovës.
“Duke diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë, si dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia, përfshirë kërcënimet me fokus të veçantë te përdorimi i dronëve, presidentja potencoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të KFOR-it me institucionet tona të sigurisë me qëllim të parandalimit të taktikave destabilizuese të Serbisë”, thuhet në njoftim.
Të lidhura
None found
Zyrtarë të Kosovës thanë në fund të shtatorit se hapësira ajrore e Kosovës ishte shkelur nga dronë të dyshuar serbë.
Por, as ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, e as drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, nuk kishin dhënë hollësi rreth këtyre pretendimeve, apo kur kishin ndodhur këto shkelje të dyshuara me dronë.
KFOR-i, në anën tjetër, i tha Radios Evropa e Lirë më 26 shtator se nuk kishte vërejtur ndonjë hyrje të dronëve nga jashtë në hapësirën ajrore të Kosovës që mund të ndikonin në sigurinë e gjithë vendit.
Misioni paqeruajtës i NATO-s gjithashtu shtoi se “nuk donte të spekulonte mbi raportimet për fluturimin e dronëve të paautorizuar mbi hapësirën e Kosovës”.
Osmani u ankua për “kërcënime të vazhdueshme” nga Serbia edhe në një takim me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin Stuart B. Munsch, javën e kaluar.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.
Misioni i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i hodhi poshtë pretendimet e Osmanit, duke thënë se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta veçanërisht nga fundi i vitit 2023, kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe.
Një polic kosovar dhe tre sulmues serbë u vranë në atë sulm në fshatin Banjskë të Zveçanit, dhe përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe.
Kosova e cilësoi sulmin terrorist dhe e fajësoi Serbinë, por Beogradi e ka mohuar të ketë pasur gisht.
NATO-ja e shtoi praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, dhe tani ka 4.649 paqeruajtës nga 33 shtete. /rel
