“Keni edhe dy ditë kohë”, Sali Berisha në “udhëkryq” për kandidatin! Do t’ia plotësojë dëshirën militantëve apo negociatorëve të partive opozitare?

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i partisë opozitare më të madhe në vend ka folur shkurtimisht për mediat pas përfundimit të mbledhjes me dyer të mbyllura, ku Kryesia e Partisë Demokratike diskutoi lidhur me zgjedhjet e 9 nëntorit si dhe kandidaturat me të cilat do të shkojnë në këtë garë.

Për mediat, Berisha tha se Partia Demokratike do t’i konsiderojë me seriozitetin më të madh kandidatët e pavarur në këto zgjedhje dhe se do të presë për ta edhe dy ditë.

“PD vlerëson dhe çmon shumë kandidaturat e pavarura. Do konsiderojmë me seriozitetin më të madh kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderohen të nevojshëm për fitoren e tyre, mbështetjen e PD. Besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë edhe forcat e tjera opozitare”, tha Berisha ndër të tjera.

Më herët Berisha njoftoi nga selia blu se Adriana Kalaja, Edi Paloka dhe Klevis Balliu, kanë shprehur dëshirën për të garuar për Bashkinë e Tiranës përballë socialistes Ogerta Manastirliut.

Ndryshe nga emrat e propozuar nga bisedimet me aleatët si aktivistët Edlira Çepani e Florian Haçkaj, dhe pedagogu Ermal Hasimja, lideri demokrat tha se mijëra militantë të PD duan që kandidati të vijë nga radhët e kësaj force politike.

“Adriana Kalaja, Edi Paloka, Klevis Balliu kanë shfaqur dëshirën, por përpjekja jonë për të arritur në një ujdi të gjerë me forcat e tjera opozitare, nuk ka asnjë lidhje me problemin e kandidatëve tanë të shkëlqyer, por ka lidhje me rekordin elektoral.

Kjo nuk mund të injorohet. Ka lidhje dhe me një gjë tjetër, mijëra militantë do donin kandidatë disa prej jush, por disa të tjerë do donin dikë jashtë nesh që të jemi sa më afër fitores, jo me qëllim të keq”, u shpreh Berisha.

Vlen të theksohet se përpos Manastirliut, i vetmi kandidat që ka shpallur kandidaturën deri më tani nga partitë opozitare është Arlind Qori, drejtuesi i “Lëvizjes Bashkë”.

“Me votëbesimin e Këshillit Koordinues të Lëvizjes BASHKË dhe inkurajimin e shumë qytetarëve, do të jem kandidat për kryetar i Bashkisë së Tiranës. Nëse qytetarët më mbështesin masivisht, zotohem që të gjitha forcat e mia morale, intelektuale dhe fizike t’i ushtroj në dobi të tyre”, njoftoi një ditë më parë Qori.


Shtuar 4.10.2025 17:45

Tags: ,