“Kemi armik të përbashkët”, Lapaj rikthehet në protestën para Kryeministrisë: Kemi të njëjtin hall, të përballemi me qëndresë!

Kryetari i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, menjëherë pas përfundimit të protestës së Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, u rikthye para Kryeministrisë në bulevard për të vijuar protestën e lëvizjes së tij, që ka nisur prej 16 ditësh.

Ai bëri edhe një deklaratë nga sheshi ku vendosi edhe një herë karriget që ishin larguar më herët për protestën e selisë blu. Lapaj “thumboi” edhe protestën e PD-së, duke nënvizuar se “regjimi nuk mundet me kapsolla” dhe se “duhet qëndresë”.

“Fermerët duhet të dalin e të kuptojnë se duhet të dalin në protestë, ata që duan ilaçe, atyre që u vidhen pronat, të vijnë këtu, kjo është çështje ekzistence e popullit, nuk është e një partie, nuk është politikë. Është koha për të shpëtuar Shqipërinë dhe për t’u përballur me regjimin e Ramës. Veç e veç ai na mund të gjithëve, por të bashkuar mund t’ia dalim”, tha ai.

Lapaj nënvizoi se shqiptarët kanë një armik të përbashkët, të harronin ngjyrat partiake dhe të përballeshin si qytetarë ndaj regjimit. Ai i bëri thirrje qeverisë për dorëheqje dhe qeveri teknike, që do e çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Ne kemi një armik të përbashkët të Republikës, që është Edi Rama. Mund të kemi mendime të ndryshme, ngjyra të ndryshme e parti të ndryshme, por kemi një hall të përbashkët, e të gjithë duhet të jemi bashkë kundër regjimit të hajdutërisë. Të bashkohemi të gjithë e të ndryshojmë historinë. Të shpëtojmë atdheun që është marrë peng. Fuqia jonë është rezistenca dhe qëndresa ndaj këtij regjimi. Ne kërkojmë dorëheqje dhe qeveri teknike”, tha Lapaj.

Ai i ftoi qytetarët që çdo ditë në orën 18:00 të shkonin para Kryeministrisë e t’i bashkoheshin, ndërsa nesër do njoftohej strategjia e radhës.

Gjatë fjalës së tij Lapaj tha se Rama dhe regjimi i tij nuk mundet dot me kapsolla. Ai bëri thirrje për rezistencë dhe protesta masive.

“Për dy orë hymë në rezistencën e 16-të. Rama dhe regjimi i tij mundet me rezistencë nuk mundet dot me kapsolla. Se po të jetë për kapsolla kanë më shumë këta, të jetë për dhunë kanë më shumë këta. Këta munden vetëm me masivitet qendrestarësh. Do qëndrojmë këtu dhe do kërkojmë masivitet qytetarët për ta bllokuar. Unë vazhdoj në protestë, t’i thua të ftuan në protestë… Unë jam 15 ditë në protestë. Kjo është protesta. Është shumë me rëndësi që të kuptojmë që rezistenca, është pika e kthesës përballë këtij regjimi që ka marrë peng vendin. Kjo përkon qëndresë, të mblidhemi këtu dhe ky dhjetor të mos i ndalë asnjë moment. Rama mundet nëse kemi fëmijët përdore duke u përballur me të”, u shpreh Lapaj.


Shtuar 22.12.2025 21:25